Fryma poetike e së dielës me poetin:Kastriot FETAHU
MË KA MARRË MALLI PËR NËNËN TIME
———————————————————
Më ka marrë malli për Nënën time.
Nuk e dija se nuk do kthehej më;
dhe nuk e di sesi ti dërgoj karafilat e kuq
që i donte aq shumë.
Nuk e di nëse ka karafila në parajsë
dhe a më dëgjon zoti këtë lutje?
Më ka marrë malli për Nënën time,
nuk e di se ku do gjej një Nënë të vjetër,
kur të kthehem në Tiranë.
Ajo do të jetë si Nëna ime.
Dua të brroçkullis me të budallallëqe,
se ajo nuk më qesh pas krahëve,
si të mëdhenjtë e kësaj bote,
që nuk kupton bijtë e Nënave të ikura.
Dua të më bërtasë me dashuri
“mos hyrë se tani lava çimenton
dhe bie thyen kokën.”
Dua të qeshim kot
të flasim për korie me shqopa në fshat;
dhe për lopë që e bëjnë gjalpin të mirë.
Sa shumë e dua një Nënë si kjo,
ajo qesh
dhe të bekon me fjalë që nuk i kuptoj;
dhe sesi bën në fund
me sytë nga qielli tre herë.
Ah, sa më ka marrë malli për Nënën time…
K.F.
BOSTON 09/28/2024
/www.QendraPress.com/