Rrahmani dhe Korenica braktisin VV-në, i bashkohen Listës për Familjen
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani e Visar Korenica, formalisht do të largohen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ata do t’i bashkohen Listës për Familjen, e cila ishte regjistruar në KQZ nga AKR-ja e Behgjet Pacollit dhe Partia e Drejtësisë (PD) e Ferid Aganit.
Për këtë çështje deputeti Rrahmani ka thirrur konferencë për media.
“Kemi kënaqësinë që në emër të deputetit Eman Rrahmani të ju ftojmë në konferencë për media. Të pranishëm në këtë ngjarje do të jenë edhe përfaqësuesit e AKR-së; PD-së me në krye prof. Dr. Ferid Aganin; grupi i intelektualëve dhe ekspertëve të prirë nga z. Fatmir Smajli, deputeti Visar Korenica si dhe figura të tjera të nderuara”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.
Konferenca mbahet nesër më 1 tetor, ditë e martë, ora 11:00, para hyrjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Dy deputetët ka disa kohë që nuk janë në linjë me partinë në pushtet. Ata jamë shprehur kundër votimin e Kodit Civil, duke kundërshtuar martesat mes gjinive të njëjta, me arsyetimin “për ruajtjen e vlerave të familjes”.
Ata po ashtu kanë dalë kundër Ligjit për fertilizimin e asistuar, pasi aty parashihet mundësia që këtë ta bëjnë dhe gratë e pamartuara dhe kanë qenë kritikues ndaj Qeverisë edhe për disa çështje të tjera.