LEJFENIZMI POLITIK I ALBIN KURTIT-Shkruan; Hisen BERISHA, deputet i Parl. Të Kosovës.

           Në shumë raste, kam paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Albin Kurti kanë arritur suksese politike në mënyrë të pabesë, duke shfrytëzuar çështjet madhore kombëtare si mjet për përfitime elektorale. Kauza e “bashkimit kombëtar,” një ideal i zjarrtë për bashkimin e kombit shqiptar, është përdorur si një flamur zgjedhor për të fituar mbështetje politike. Po e njëjta strategji po përdoret me situatën në Veriun e Kosovës. Ky fenomen është kthyer në një recidiv politik. Tani, me çështjen e Veriut të Kosovës, është shndërruar në një “casus belli” të përhershëm që aktivizohet sa herë që pushteti i Kurtit është në rrezik. Manipulimet me situata të tilla vazhdojnë, siç e dëshmon edhe paralajmërimi i fundit lejfenist i Kurtit se: “Kosova duhet të jetë e përgatitur, Serbia e ka synim hakmarrjen” dhe janë pjesë e të njëjtit skenar politik të bazuar në frikësimin e popullit dhe manipulimin e masave. Këto skenarë duket se janë pjesë e lejfenizmit politik të bashkërenduar nga Kurti dhe presidenti serb Vuçiq, të cilët krijojnë tensione për të forcuar ndërsjelltas pushtetin e tyre. Këto skenarë politikë nuk janë të rastësishëm. Ato duket se janë të koordinuara nga Kurti apo kryekëshilltari i tij për dialogun, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, një partner i dëshmuar, që përdoret për të garantuar stabilitetin e përkohshëm të pushtetit të Kurtit dhe për të mbajtur rajonin në gjendje tensioni të vazhdueshëm. Ky skenar është veçanërisht i dukshëm në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe protestave në Beograd, ku përsëri rrezikohet stabiliteti, sipas paralajmërimit të Kurtit. Manipulimi i krizave dhe nxitja e frikës për përfitime politike janë një rrugë e rrezikshme që po ndjekin liderët e tanishëm në Prishtinë dhe Beograd. Po t’i referohemi zhvillimeve konstante që nga shtatori 2021, kur kjo qeveri e filloi aksionin politik me logjikën e “revolucionit të shamijave të kuqe,” atëherë vlerësoj se kjo zonë është shndërruar në një vatër të vazhdueshme krizash që aktivizohet në momentet kur LVV-së dhe Kurtit u nevojitet një diversion për të ruajtur pushtetin. Paralajmërimi im për një inskenim të mundshëm të një “Banjska 2” është bërë më i dukshëm përmes qëndrimeve të Kurtit në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NNZ). Por, pyetja mbetet: a po e përdor Kurti kërcënimin serb për të mbajtur popullin në frikë dhe për të ruajtur pushtetin e tij? Komentet e deputetit gjerman Josip Juratoviç i shtojnë kredibilitetin kësaj teze. Ai i konsideron Kurtin dhe Vuçiqin si “partnerë idealë,” duke theksuar se të dy liderët kanë nevojë për njëri-tjetrin për të mbajtur pushtetin. Kurti dhe Vuçiq janë aktorë të një loje të mirë-koordinuar, ku manipulimi i krizave dhe tensioneve është një taktikë e përbashkët. Këta dy liderë janë sinonim i lejfenizmit, ngase “të dy negociojnë me një fik në xhep” – një metaforë që nënkupton se këta liderë fshehin qëllimet e tyre të vërteta prapa deklaratave publike dhe veprimeve teatrale. Kjo qasje, që përpiqet të mbajë në tension të vazhdueshëm, është një taktikë e njohur për liderët autoritarë që preferojnë krizën mbi zgjidhjen dhe kaosin mbi stabilitetin. Siç e vuri në dukje deputeti gjerman, Vuçiqi përdor një qasje të rafinuar dhe teatrale për të përforcuar pozicionin e tij, ndërsa Kurti shfaqet si një mbrojtës i interesave kombëtare, por në realitet përdor të njëjtat taktika manipulative. E gjitha kjo vë në pah një aleancë të pashpallur mes tyre, ku përfitimi personal dhe mbajtja e pushtetit janë prioritetet e vetme, ndërsa qytetarët mbeten peng i këtyre lojërave të rrezikshme. Peng i këtyre lojërave dhe gjuhës politike që përdoret vazhdimisht nga LVV, ku vazhdimisht përmendet jo vetëm mundësia e një sulmi nga Serbia, por edhe rreziku i një Lufte të Tretë Botërore. Kjo është një strategji për t’i mbajtur njerëzit në frikë dhe për të dekurajuar investimet në vend, gjë që pengon zhvillimin e shtetit. Kush do të investonte në një vend, nëse mendon se lufta është e mundshme, apo se Lufta e Tretë Botërore është në prag? Ndërkohë, Perëndimi vazhdon të nënvlerësojë këto manovra, duke dështuar të shohë se liderët në fjalë po shfrytëzojnë tensionet etnike për të ruajtur një status quo të brishtë që nuk i shërben askujt, përveçse atyre që janë në pushtet. Stabiliteti në rajon nuk mund të arrihet përmes lojërave politike dhe manipulimeve, por vetëm përmes krijimit të shoqërive të vërteta demokratike në të dyja vendet. Vetëm atëherë do të ndërtohet një paqe e qëndrueshme që nuk është peng i lojërave të liderëve që përdorin frikën dhe krizën si instrumente të pushtetit./www.Qendra Press.com/