Stuhia e Madhe e paralajmëruar në Veri, rrezik përshkallëzimi dhe kërcënimi i sigurisë kombëtare-Shkruan,;Hisen BERISHA-Deputet i Parlamentit të Kosovës

               Situata në veri të Kosovës ka përshkallëzuar ndjeshëm pas disa ngjarjeve të fundit që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Këto ditë, në komunën e Zubin Potokut, janë raportuar disa sulme me “bomba”, duke shkaktuar tension dhe pasiguri te banorët e zonës. Këto sulme vijnë në një kohë kur tensionet politike dhe etnike në veri të Kosovës janë në kulmin e tyre. Një incident shqetësues ishte shpërthimi i regjistruar pranë digës së liqenit të Ujmanit, një burim i rëndësishëm ujëmbledhës dhe strategjik për Kosovën – në rrugën nga Uglari drejt vendit Varage. Shkaku i shpërthimit ende nuk dihet me saktësi penalizuese. Ky akt përbën një kërcënim serioz jo vetëm për mjedisin dhe infrastrukturën, por edhe për sigurinë e furnizimit me ujë të mijëra banorëve të Kosovës dhe zinxhirit teknologjik që lidhet me punën e prodhimin e energjisë në termoelektranë. Deri tani, ende nuk ka të dhëna për përgjegjësit e këtij incidenti, përkundër faktit se është paralajmëruar nga sherifi/ministri i Policisë, se rajoni në segmentet kyçe është i mbuluar me kamera vëzhgimi. Kështu që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë shpejt, të zhvillojnë hetime intensive për të identifikuar autorët, motivet që i kanë shtyrë, dhe mundësitë e fillimit të një serie incidentesh të tilla zinxhirore nëpër vende të ndryshme të veriut të Kosovës dhe jo vetëm. Një paralajmërim ky për stuhinë e madhe që është parashikuar e paralajmëruar nga ekspertë e njohës të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes. Përshkallëzimi i situatës vjen në një kohë të ndjeshme, me tensione të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjet e sovranitetit, veçanërisht në komunat me shumicë serbe në veri. Po ashtu, edhe kampanja elektorale që këtë radhë ka filluar mbi tre muaj më herët, shërbehet me të tilla incidente që do t’i privonin qytetarët të mendojnë me kokën e tyre, mbi premtimet e papërmbushura, kauzat mashtruese dhe mjerimin social-ekonomik dhe zhvillimor që ia kanë bërë vendit. Një pistë e ndjeshme hetimi megjithatë mbetet Termoelektrana dhe hendikepimi i saj në mungesë të ujit. Por mund të fshihet pas këtij akti hendikepues të punës së elektranës edhe dështimi në prodhim për shkak të rënies së dy blloqeve në mungesë të servisimeve me kohë, çka ka shkaktuar krizë energjetike në Kosovë. Përveç krizës, kjo kërkon buxhet për ta mbuluar mungesën përmes blerjes-import të energjisë. Pra mund të fshihen ndërmarrje korruptive e kriminale, për t’i mbuluar vjedhjet në buxhetin e shtetit të miliarda eurove nga suficiti!? Ndërkohë që institucionet e Kosovës kanë bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje, duke paralajmëruar se aktet kriminale dhe provokimet do të trajtohen me seriozitet dhe në përputhje me ligjin, duket se ka shpresë për vendosje të rendit e ligjit, për faktin se sipas qeverisë e sherifëve Sveçla, Krasniqi & Co, në veri “s’ka pasur kurrë më shumë shtet as pushtet”!? Inkurajues është fakti se PUN, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in, siç deklarojnë të mandatuar nga KS/OKB për garantimin e ambientit të sigurt të brendshme dhe mos cenimin e kufijve, po ndjekin nga afër zhvillimet në veri, duke bërë thirrje për dialog dhe për një qasje të matur për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Edhe Kosova mbetet e angazhuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ndërsa kërkon që provokimet dhe aktet e dhunshme të dënohen nga të gjitha palët e përfshira. Konsideroj që me ngut duhet të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, të bëhen analiza kuantitative dhe të jepen udhëzimet për veprim strategjik për prevenimin e zhvillimeve të tjera të mundshme dhe futjen nën kontroll të situatës aktuale. KSK duhet të hedhë dritë edhe mbi faktin se, kohë më parë në këtë legjislaturë u miratua Ligji për infrastrukturë kritike i amandamentuar. Ndërkohë që ligji ekzistues fare nuk është zbatuar sa i përket mirëmbajtjes në aspektin e sigurisë, në asnjë dispozitë të tij, sipas Raportit të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, për “Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-014 për infrastrukturën kritike”! Duhet intensifikuar roli i inteligjencës civile dhe ushtarake. Duhen trajtuar me ekspertizë profesionale detaje si mënyra e vendosjes së mjetit shpërthyes dhe ekzekutimit të detonimit, që ngrehin shumë dyshime e pikëpyetje për hetim, rreth autorëve dhe qëllimit. Po ashtu, qëllimi dhe dashja për të bërë demolim të plotë apo të pjesshëm dhe lehtë të riparueshëm të sistemit të menaxhimit të ujit ngre shumë dilema po ashtu. Fakti i vendosjes së mjetit demolues në afërsi të urës dhe muret e kanalit ngjall dilema, pasi që vendosja e mjetit demolues në urë do të kishte efektin e dëshiruar terrorist armiqësor. Deklarimet e Kryeministrit se “edhe kjo lidhet me ‘letrën’ që ka pranuar ish-Presidenti Thaçi nga NATO/KFOR në vitin 2013, për mosinvolvimin e Forcës Ushtarake në trazirat e brendshme”, tregon se ky po implementon marrëveshjen “me fik në xhep” siç ia tha deputeti i Bundestagut gjerman. Edhe më tej mbetet në fuqi letër-urdhëresa e NATO për mosangazhimin e Forcës në trazira civile brenda vendit, qofshin ato edhe akte terroriste. Këto janë dhe bien në domenin e Policisë së Kosovës, e cila i posedon Kapacitetet e Plota Operacionale për veprim në këso situata e të ngjashme. Problemi që duhet të na shqetësojë është urdhri që ka marrë PK dhe qeveria aktuale, që të mos i nxjerrë më Njësitë për Operacione Speciale në veri. Kjo duhet trajtuar në mes dashjes dhe qëllimit! Sjellja vandaliste e terroriste e personave të “paidentifikuar” në Veri, përbën një kërcënim serioz. Hetimet duhet ta nxjerrin të vërtetën, e cila druaj të mos jetë surprizuese! Kjo e vërtetë që nxjerr një hetim i detajuar dhe gjithëpërfshirës, duhet të bëhet e ditur përmes një raporti të detajuar, i cili nuk duhet të rrezikojë të mos bëhet publik asnjëherë, ashtu siç nuk u bë ai i Banjës 23. Ajo që përbën shqetësim e po vërehet edhe në ketë situatë post aktit terrorist, është marrja e kompetencave të Prokurorit Special nga Kurti dhe Sveqla. Sot kryeministri foli ne konferencën e shtypit për te arrestuar dhe prova materiale, punë që në një shtet normal duhet ta bënte Prokurori. Shtrohet pse duhet ta vë kontrollin mbi procesi që si takon. Kjo ngre dilema dhe dyshime të bazuara të njëjta siç bëri dhe në Banja 23! Parë nga këndvështrimi im si ushtarak, nëse nuk rezulton një skenar bilateral apo vetjak, këto janë veprime terroriste që paralajmërojnë stuhinë e madhe! Ndërkohë Serbia, pavërejtshëm, po i krijon “strukturat e reja paralele” në Kosovë dhe me të atashuar nga Serbia, meqë ata të vjetrit tashmë janë në arrati, pasi janë në ndjekje nga prokuroria speciale e Kosovës, ku pas largimit nga institucionet, në komunat e braktisura janë gjetur tashmë listat e pjesëtarëve të strukturave të vjetra paralele, që janë në arrati në krye me Radojçiqin. Tani strukturat e reja paralele që po krijohen nga vet Serbia, po trajnohen e testohen në aksione të tilla me skenar të parapërgatitur. Me këto situata dhe dukuri duhet të merret AKI. Kurse policia po i përcjell vetëm ata që i kanë në lista, që t’i arrestojnë. Çka po bën MPB për t’i parandaluar dhe arrestuar vandalët terroristë?! Inkurajues është fakti se SHBA, siç deklaroi SHT ambasadori fuqiplotë i SHBA në Kosovë Hovenier, i cili u zotua se “do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe se i ka ofruar mbështetjen e plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.