Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Alma BAJA

PUTHJA – KODI I PAARTIKULUAR I SHPIRTIT!…

Puthja nuk është asnjëherë thjesht një çast pasioni,

por një fjalor i heshtur ku shpirti shprehet,

pa u trembur nga dënimi i gjuhës…

Ajo është momenti ku mendja kapitullon para ndjenjës,

përplasje e egos me dëshirën e shpirtit

për të njohur veten në tjetrin…

Puthja është akti më i pastër i sublimimit,

shprehja e asaj që truri s’mund ta formulojë,

ajo është një shënim në kujtesë,

gjurmë në hapësirat e pavetëdijes…

Puthje është veç ajo që shpërthen nga thellësia,

ajo që nuk ndalet në buzë,

ajo që nuk jepet për të marrë,

por sepse s’mund të mbahet,

ajo që mbetet edhe kur largësia

shtrihet mes trupave…

Po, puthje është veç ajo që nuk mund të ndalet,

ajo që lind si etje e shpirtit

dhe derdhet si dritë mbi lëkurë,

rrëfim i një ndjenje që s’gjen strehë tjetër…

Dridhja e padukshme e dëshirës,

betimi që nuk shqiptohet, por ndjehet,

një lutje pa fjalë,

një vulë që lidh shpirtrat përtej trupit të tyre…

Puthja – një prekje që djeg, një moment

ku logjika dhe instikti ndalojnë së luftuari,

një dridhje që nuk harrohet,

një gjuhë pa fjalë që flet më shumë se

 çdo rrëfim, një gjurmë që mbetet,

një premtim i paartikuluar…

Në qytetërimet e lashta,

puthja kishte peshën e fatit,

një vulë mes të dashuruarve

që sfidonin kohën…

Një puthje mund të përcaktonte

një luftë, një aleancë, një tradhti…

Juda puthi Krishtin për ta tradhtuar,

Kleopatra e përdori si armë politike,

Tristani dhe Izota vulosën me të një përjetësi…

Në dimrin e pafund të ndarjes,

një puthje e vetme

mund të jetë verë e përjetshme…

Ajo është ndërlidhje kimike,

kod i fshehtë që truri lexon…

Një puthje mund të jetë premtimi i një fillimi

ose fundi i një iluzioni…

/QendraPress,com/