Çaste poetike me poeten;-Vilma NIKA

Më zgjoni prej ëndrre!

———————————

Stinët nxitimthi,

njëra pas tjetrës shkojnë,

Vagonët me shpresë u nisën

dyer e pragje u braktisën,

ku ikën vallë?

Varkat e ëndrrave,

mbenë sysh brigjeve lotuar

buzëkroje e nemte harruar

për me pa virgjërinë e vesës

pse lulet u thanë?

Pritjet dështuan,

se vashat më trima nuk presin

një letër prej zemre se qesin

të rrojnë njëherë…pa të vdesin

dashninë me jetu.

Më zgjoni prej ëndrre!

Më bini shuplakë, më kthjelloni

më thoni është ëndërr,ma thoni.

Kur frymë të marr, më dashuroni,

se jetën e du…

/QendraPress/