Çaste poetike me poeten;-Valbona Pasha KORDHA

Hapat e ditëve të mia

——————————

Hapat e ditëve të mia

nuk janë përshpejtim,

as lëvizje të mëdha.

Janë tinguj të heshtur,

një këngë që nuk dëgjohet përtej vetmisë.

Janë hapa që njohin gurët,

dhe njohin plagët që s’u panë.

Janë hapa që mbajnë kujtime,

dhe herë-herë harrojnë vetveten.

Në mëngjes më zgjojnë me dritën e lehtë,

që depërton në dhomën time,

dhe më thonë:

“Nuk je vetëm,

edhe nëse të duket kështu.”

Në mbrëmje, hapa ngadalë,

si të dua një fund të qetë.

E di se çdo hap i kaluar

është një pjesë e historisë sime,

një gur që kam vendosur,

pa zhurmë,

pa lavdi.

Hapat e ditëve të mia

janë një rrugë që nuk ka fund,

por ka kuptim.

Sepse çdo hap është thirrje,

është mall,

është jetë.

/QendraPress/