“Nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi”, familjarët e Agon Zejnullahut kërkojnë hetim të drejtë, të plotë dhe transparent

                 “Nuk kërkojmë hakmarrje por drejtësi”, “Jo dhunë, duam paqe për Agonin”, “Agon Zejnullahu u vra nga ata që duhet të ishin mbrojtës, e jo vrasës”, “Sot s’ka më heshtje”, “Drejtësi për Agonin”, janë disa nga pankartat që po mbajnë në duar familjarët dhe miqtë e Agon Zejnullahut, gjatë protestës në Lipjan.

Protesta ka filluar rreth orës 11:00, ku edhe po kërkohet drejtësi për 27-vjeçarin që ka vdekur në rrethana të panjohura gjatë arrestimit nga policia, transmeton Telegrafi.

Në protestë po marrin pjesë numër i konsiderueshëm i qytetarëve, të cilët tashmë janë ndaluar para stacionit të policisë.

Vëllai i Agonit, Alban Zejnullahu, në fjalimin e tij tha se kërkojnë hetim të drejtë për rastin.

“Sot nuk jemi mbledhur për urrejtje, sot jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Sot jemi këtu për Agonin, një djalë, një zë që nuk mund të heshtet. Jemi këtu sepse drejtësia nuk është privilegj por një e drejtë. Kërkojmë hetim të drejtë, të plotë dhe transparent. Ne protestojmë në mënyrë paqësore”, u shpreh ai.

Ai tha se duhet të ketë drejtësi për jetën që nuk është dashur të shuhet.

Pas fjalimit të tij, Alban Zejnullahu ftoi qytetarët të shpërndahen në mënyrë paqësore. /Telegrafi/