Çaste poetike me poeten;-Lola SHEHI

GABIMI
——————–
S’di sa e trazuar paskam qenë sot,
Të kam marrë në telefon s’di sa e sa herë.
Nën mjekër trishtueshëm mbaj telefonin,
Me shpresën se pas thirrjes së humbur më merr.
Më bren meraku, pakuptueshëm kafshoj thonj e buzë,
Dhe turfulloj e gjëmoj si det i tërbuar.
Një lot zemërak, derdhet rrebesh mbi bluzë,
Po mendja s’e kupton që ka gabuar.
Mesazhi zanor, personi është jashtë zonës së mbulimit,
Më ther në ashtë e më sëmbon në zemër.
Shikimi mjegullohet si dielli mbuluar me perde prej reshë,
E s’kuptoj se n’tastierë kam klikuar tjetër emër.
E zbehem, e mpihem, e fryma më mpaket,
Me zemër në dorë uroj të jesh mirë!
Buza digjet ethesh, rremat e syve më gjaken,
Mollëzat e majëgishtave, mbi tastierë ngrirë.
Flak telefonin, e rimarr sërish,
Me duart që dridhen e afroj pranë zemrës.
Ah baba!
Dashuri – urrejtje ai gabim në ag,
Se dora kish klikuar mbi emrin e nënës!
Dhe pres e pres të dëgjoj zërin e saj,
Mes ëndrrës… e zhgjëndrrës…!
Krahërori bëhet dallgë si deti shtatë ballë,
Nga rrahjet e pabindura të zemrës!
/QendraPress/