Shoqata e Turizmit alarmon: Çmimet në bregdetin shqiptar po rrezikojnë të largojnë turistët nga Kosova

Kryetari i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve në bregdetin shqiptar gjatë muajve korrik–gusht 2025, duke paralajmëruar pasoja serioze për të ardhmen e turizmit në Shqipëri. Në një reagim publik, ai thekson se ngritja e paarsyeshme dhe e pakoordinuar e çmimeve në resortet dhe hotelet shqiptare po dëmton jo vetëm përvojën e pushuesve, por edhe imazhin e vendit si destinacion turistik i qëndrueshëm.

“Ky shqetësim tashmë ka kaluar kufijtë dhe është bërë temë edhe në media ndërkombëtare, përfshirë gazetari italianë që kanë raportuar për çmime të papërballueshme”, ka thënë Kurtishaj. Sipas tij, pushuesit shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vizitorë sezonalë, por kontribuues të qëndrueshëm në ekonominë shqiptare përgjatë gjithë vitit.“Nëse kjo kategori e rëndësishme e turistëve ndjehet e përjashtuar apo e zhgënjyer për shkak të abuzimeve me çmime, pasojat do të jenë të rënda dhe afatgjata për industrinë”, ka paralajmëruar ai.

Ai ka përshëndetur faktin se tashmë edhe figura publike dhe profesionistë të turizmit në Shqipëri, përfshirë gazetarin Blendi Fevziu, po e ngritin zërin për këtë problematikë.Kurtishaj përfundon me një thirrje për më shumë përgjegjësi dhe planifikim në këtë sektor: “Turizmi nuk ndërtohet mbi abuzime e fitime të shpejta, por mbi besim e ndershmëri me vizitorët”.Ai shton se, nëse ky trend vazhdon, pushimet verore për shumë kosovarë mund të zhvendosen jashtë sezonit të lartë, duke përjashtuar korrikun dhe gushtin për shkak të kostos së lartë./Telegrafi/