Çaste poetike me poetin;-Sherif GASHI

BALADË E SHPËRGJUMUR
———————————
Shkithem kur ëndërrit,
Shekujt e fatit që pate,
Shpirtërohem nga vegimet e llahtarshme,
Të frikshme të pakapshme.
Ëndërrit i shpërgjumur,
Ëndrrat tua vashërore,
Dua të jem unë shortar,
I ditëve tua dasmore.
Do të shkardhë mllefin tim të ndrydhur,
Përtejasi këtë do ta shijojë,
S’do të jem filiz i shtrydhur,
Po zemër që do të gjalloj.
Ëndërrtar s’do të jem përherë,
Do të shpirtërohem me atë tjetrën,
Llahtarinë e frikën do t’i marrë kjo erë,
Nuk do të pështëllij, por do të thërras jetën.
Ti thur ëndrra i jetësoj unë,
S’bën të jesh kurrë ëndërr kot,
Shortarë ëndrrash s’më hyjnë në punë,
Do t’i jap fund unë për mot.
Përrallis viti e përrallis moti,
Mos mendo se më është lëbyr syri,
T’i përkëdhel ëndrrat më pengon loti,
Pse në jug ende s’u gjet “myhyri”.
S’do të jem i përzishëm gjithmonë,
Me përvëlak unë jam i rritur,
Të gjithë shpirtrat do t’i shkartis,
Që të arrij ëndrrën e pritur.
Do ta vërtetojë emri i zotit,
Do të shkreptijë drita e diellit,
Ai që thur ëndrra prej motit,
Do të arrijë kupën e qiellit.
Shkithem kur ëndërrit,
Shekujt e fatit që qenë praptarë,
Do të shpërballem e do të shpirtërohem,
Me shpirtin e popullit prijatar.
/QendraPress/