Sheshet e Prishtinës përplot, kërkohet drejtësi në Hagë

Mijëra qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, rajoni dhe diaspora morën pjesë në protestën kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë dhe në mbështetje të drejtuesve të UÇK-së, që po mbahen në paraburgim atje, raporton Ekonomia Online.
Gucati: Gjykata Speciale po deformon historinë tonë
Në protestën në sheshin “Skenderbeu”, organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, Hysni Gucati theksoi se Gjykata Speciale po deformon historinë tonë.
Ai ka thënë se “nuk ka gjykatë që mund t’i fshijë gjurmët e gjenocidit serb”.
“Sot, veteranët e UÇK-së ikeni bërë shumë krenarë që jeni bashkuar, kundër një gjykate anti-shtetit të Kosovës. Ne e kemi ditur se do të jemi bashkë gjithmonë kur rrezikohet dinjiteti ynë. Gjykata Speciale po deformon historinë tonë”.
“E vërteta është krejt tjetër. Kjo gjykatë po i gjykon aleatët e NATO-s, Hashimin, Kadrin, Jakupin dhe Rexhepin”.
“Kjo nuk është drejtësi, kjo është luftë politike. Penalizimi i luftës së UÇK-së është i padrejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë dhe mbetet një nga luftërat më të pastra në historinë moderne. Kjo gjykatë, që nga fillimi, më shumë i ka shërbyer Serbisë. E vërteta nuk fshihet dot”.
“Nuk ka gjykatë që mund t’i fshijë gjurmët e gjenocidit serb”, tha Gucati.
Djali i dëshmorit emocionon: UÇK-ja nuk u dorëzua para Serbisë, s’dorëzohet as para Speciales
Arbër Cacaj, djali i dëshmorit Nagip Cacaj, ka emocionuar me fjalët në protestë. Ai tha se nëse babai i tij ishte kriminel, atëherë të vijnë t’ia lidhin duar, raporton Ekonomia Online.
Cacaj ka thënë se “UÇK-ja nuk është dorëzuar para Serbisë dhe nuk do të dorëzohet as para Gjykatës Speciale”.
“Në shtëpinë time e kam një varr të hapur, varrin e babait. Nuk është veç shtëpia ime, ka mbi 1 mijë e 600 varre të hapura. E kam ende pamundësinë për të vendosur një lule në varrin e babait, mbi 1 mijë e 400 fëmijë nuk e patën fatin të rriten të lirë. Nuk arritën ta gëzojnë këtë liri, ata mbetën fëmijë të vrarë e masakruar”.
“Shumë nga ata kriminelë në Hagë po dëshmojnë kundër çlirimtarëve. Nëse babai im është kriminel, edhe unë jam kriminel. Urdhëroni ejani e mi lidhni duart. Kjo nuk është drejtësi, kjo është poshtërsi. Liri për çlirimtarët”.
“Liri për çlirimtarët! UÇK nuk është dorëzuar para Serbisë dhe nuk do të dorëzohet as para Gjykatës Speciale”, tha ai.
Tromp: Thaçi e të tjerët e mbështetën Specialen sepse besonin në drejtësi
Hetuesja në rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviqit, Neveka Tromp, ka kritikuar zvarritjen e procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
Tromp, në protestën kundër Gjykatës Speciale, ka thënë se të akuzuarit mbështetën krijimin e Speciales sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri.
“Ata që sot po akuzohen ishin vetë ata që mbështetën krijimin e Dhomave të Specializuara, sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri,” u shpreh Tromp.
Ajo theksoi se ligjet që rregullojnë luftën janë krijuar për të mbrojtur çlirimtarët, e jo për t’i ndëshkuar ata.
“Gjykata duhet të veprojë në mënyrë profesionale. Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, ajo rrezikon të kthehet në padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë për të zbuluar të vërtetën, por janë gjykime të inskenuara.
Ja ku jemi, pesë vjet më vonë, dhe ata ende ndodhen në paraburgim, pa një gjykim të drejtë. Besimi i tyre në drejtësinë e shpejtë është thyer. Por mos harroni – udhëheqësit që sot po akuzohen, janë ata që mbështetën krijimin e këtyre dhomave. E bënë këtë duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun.
Pse? Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre. Besuan se lufta ishte e drejtë, një luftë e lejuar. Ata luftuan dhe fituan. Shkuan në Hagë sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri – besonin në sundimin e ligjit dhe në aftësinë e gjykatës.
Ata besuan se ligjet që rregullojnë luftën janë krijuar për të mbrojtur çlirimtarët e lirisë, dhe jo për t’i ndëshkuar”, ka thënë ajo.
Ahmeti në protestë: Lufta e UÇK-së ishte vetëm dhe vetëm çlirim, nuk ishte tradhtare e as terroriste
Kryetari i BDI-së në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti, përveç që mori pjesë në protestën e 7 gushtit në Prishtinë, të organizuar nga OVL-UÇK-ja, mbajti edhe një fjalim, ku ndër të tjera u shpreh se UÇK-ja asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, asnjëherë nuk ka vrarë fëmijë e pleq, se lufta e saj ishte çlirim dhe se UÇK-ja nuk është kundër asnjë populli në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Shqiptarët nga të gjitha anët, nga Struga, nga Gostivari, Shkupi, Kumanova, vërshonin rrugët me pjesëmarrjen në këtë protestë për drejtësi. Vendi ynë i bashkuar si një trup i vetëm, por neve na është rrezikuar nderi dhe dinjiteti, prandaj sot si një tru jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale”.
“Që nga viti 1994, kur filloi t’i komunikojë qëllimet e saj, UÇK i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Gjenevës. Ajo asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, asnjëherë nuk ka vrarë fëmijë e pleq. Lufta e saj ishte vetëm dhe vetëm çlirim. Lufta e saj nuk është kundër asnjë populli, asnjë etnie në Kosovë. Nuk është luftë tradhtare e as terroriste. UÇK me udhëheqësit e saj sollën ndryshime pozitive gjeostrategjike duke e sjellë Perëndimin, Amerikën dhe Evropën në Ballkan”, tha Ahmeti.