Çaste poetike me poeten;-Vjollca ALIAJ

Ah, të isha Prometeu!
——————————–
Sikur të isha Prometeu,
do të rrëmbeja zjarrin nga qielli,
nga zemra e perëndive,
t’ia vija flakën errësirës në botë,
të ndizja shpresën e ngrirë të vuajtjes.
Do të bëhesha flaka shkrepur mbi gur,
shkëndija mes territ e ditës,
përpjekja me dhëmbë e dhimbjes,
shpëtimit,
zëri me klithmën:
Liri, liri!
Do të digjesha shkrumb
për shpirtërat e prangosur,
për zërat e së vërtetës,
mes prushit të trupit tim përflakur,
plagët ti thurrja kurorë guximi.
Sikur të isha Prometeu,
do të shkërmoqja prangat,
thyeja brinjën e hekurt të heshtjes,
në zhuritjen time, të lindnin yje,
drita e tyre të sfidonte humnerën,
pishtar në rrugën e besimit të humbur,
premtim për ringjallje.
Ah, të isha Prometeu,
do të rrija e vetme
në shkëmbinjtë e përjetësisë,
tu falja njerëzve shpresë,
pa le të vuaja pafundësisht!
/QendraPress/