Çaste poetike me poeten;-Adifete SHITI

Kohë e mbrapshtë

——————————

Por më të mbrapsht janë njerëzit

që ndërtojnë çaste lumturie mbi vuajtjet e tjetrit,

që kërkojnë ta përmbysin botën

veç për të ushqyer egon e tyre.

Lumturia ka nevojë për themel,

është virtyt më vete,

ajo kërkon hapësirën e saj,

nuk do të ngulfatet në liqene të zbrazëta

as në qiellin e mbushur me bubullima.

Ajo kërkon pika shiu të sinqerta,

më të pastra se loti që pikon.

Lumturia nuk vjen nga duart e rreme,

as nga buzëqeshjet që fshehin thika pas shpine.

Ajo lind në zemra të përvuajtura,

që dinë të ndajnë dhembjen,

që dinë të falin edhe kur plagosen.

Është këngë që s’mund ta këndojë egoja,

është dritë që nuk ndizet nga zjarrmi i krenarisë.

Lumturia është frymë,

që vetëm shpirtrat e pastër e ndjejnë,

si agimi që thyhet mbi malet,

pa zhurmë, por me madhështi.

Koha e mbrapshtë përpiqet ta burgosë,

ta shndërrojë në mall të rrallë,

por ajo, si uji që gjen rrugë ndër shkëmbinj,

sërish do të rrjedhë.

As nuk blihet me pasuri,

as nuk sundohet me pushtet;

lumturia është fëmijë i thjeshtësisë,

mik i dashurisë së pastër,

dhe banore e përjetshme

e zemrave që dinë të duan.

/QendraPress/