Fryma poetike me poeten:-Adifete SHITI

Lulet e Dashurisë së Heshtur
————————————-
Lulet që dikur dhuroheshin për dashuri,
Sot i gjen nëpër varreza,
Sikur dashuria të ketë vdekur
Bashkë me shpirtin e plagosur.
Ndjenjat që dikur shfaqeshin buzë lumit,
Sot janë bosh,
Si kafeja e hidhur e mëngjesit,
Që pihet më shumë për kujtim se për shije.
Premtimet që dikur bëheshin për sytë e bukur,
Janë shndërruar në fjalë të ngrira,
Që s’kanë më zë,
As dritë për të ndezur një zemër.
Por diku, nën dritën e një nate të qetë,
Dashuria ende merr frymë,
Në heshtjen e atyre që ndjejnë pa folur,
Në sytë që kërkojnë një shpresë të vogël,
Si një lule që guxon të çelë
Edhe mbi dheun e ftohtë të kujtimit.
Por edhe në zemrat e thyera,
Nje shenjë jete shpërthen ngadalë,
Si dielli që ngre horizontin pas shiut,
Dhe lulet e dashurisë së heshtur,
Fillojnë të çelin përsëri,
Të kujtojnë se dashuria s’vdes kurrë…
Vetëm fle pak, për t’u zgjuar më e fortë.
/QendraPress/