Zgjedhjet e 28 Dhjetorit 2025: -Fushatë për Shtetin, apo Pushtetin?/Shkruan;Ruzhdi GASHI

Kosova hyn në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në një nga periudhat më të ndërlikuara të historisë së saj politike pas pavarësisë. Vendi ka kaluar kriza të njëpasnjëshme institucionale, tensione në veri, përçarje me aleatët kryesorë dhe izolim diplomatik që nuk është parë më parë në këtë intensitet. Në të njëjtën kohë, shumë procese madhore të shtetësisë kanë mbetur të pambyllura — dhe asnjë qeveri nuk ka arritur t’i përmbyllë ato në mënyrë të qëndrueshme.

Në këtë kontekst, zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë zgjedhje të zakonshme. Ato janë një provim i madh politik dhe shoqëror. Ato do të tregojnë njëherë e mirë nëse Kosova ka vendosur të ecë drejt konsolidimit të shtetit, apo të vazhdojë në spiralen e vjetër të krizave, përçarjeve dhe zgjedhjeve të shpeshta.

Që prej vitit 1999 dhe shpalljes së pavarësisë më 2008, Kosova ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të krijuar institucione moderne dhe funksionale. Por në dekadën e fundit është bërë gjithnjë e më e qartë se procesi i ndërtimit të shtetit ka ngecur.

Me këto ngjarje lidhen edhe rrëzime qeverish, dorëheqje kryeministrash dhe destabilizime të vazhdueshme.

Dërgimi i ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij në Hagë, pavarësisht interpretimit juridik apo politik, ka shkaktuar një boshllëk të madh në jetën publike dhe një krizë të thellë të përfaqësimit.

Përplasjet me aleatët strategjikë, tensionet në komunat veriore, raportet e ngrira me BE-në dhe SHBA-në, sanksionet diplomatike, mospërmbushja e obligimeve të dialogut dhe mungesa e koordinimit institucional e kanë lënë Kosovën në një pozitë të brishtë.

Kosova sot është në një pikë kyçe: ose e rimerr veten, ose ngec edhe më thellë.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet të japin përgjigje të qarta për disa tema thelbësore:

• Si do të rikthehet besimi dhe koordinimi me aleatët ndërkombëtarë?

• Si do të përmbyllet procesi i dialogut me Serbinë?

• Si do të adresohet veriu dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

• Si do të forcohet ekonomia dhe ndalet emigrimi masiv?

• Si do të rikthehet shpresa dhe stabiliteti politik?

Pa adresimin e këtyre temave, çdo fushatë është vetëm retorikë. Çdo premtim është i zbrazët. Çdo ndryshim qeverie është i kotë.

Rreziku më i madh i këtyre zgjedhjeve është që ato të kthehen në një fushatë të zakonshme për pushtet — ku partitë luftojnë vetëm për t’u bërë fituese dhe për të marrë kontrollin e institucioneve, pa ofruar vizion për vendin.

Kjo qasje e ka mbajtur Kosovën në tranzicion të përhershëm për më shumë se dy dekada.

Nëse 28 dhjetori shndërrohet vetëm në një garë për poste, ministri, përfaqësime dhe privilegje, Kosova do të humbasë edhe një cikël tjetër të çmuar politik.

Kosova sot ka nevojë për:

• lidership që flet pak dhe punon shumë;

• lidership që nuk krijon armiq, por gjen aleatë;

• lidership që nuk përdor retorikë patriotike për të fshehur dështimet;

• lidership që e di se shteti është më shumë se një mandat.

Politikanët duhet të tregojnë seriozitet, maturi dhe përgjegjësi. Duhet t’i japin fund mendësisë së përçarjes dhe të populizmit. Duhet të kuptojnë se shteti nuk është pronë e tyre — është amanet i shumë brezave që sakrifikuan për këtë ditë.

Në të njëjtën kohë, populli i Kosovës ka përgjegjësi të madhe në 28 dhjetor. Vota nuk është shpërblim, nuk është emocioni i ditës, nuk është zakon. Vota është akt i rëndësishëm politik që përcakton fatin e vendit.

Qytetarët duhet të votojnë mbi bazën e arsyeve, jo emocioneve.

Mbi bazën e programeve, jo sloganëve.

Mbi bazën e asaj se kush mund ta qetësojë vendin, kush mund ta drejtojë shtetin, kush mund t’i përmbyllë çështjet e hapura.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 janë provimi më i madh që Kosova ka pasur që prej shpalljes së pavarësisë. Ato do të tregojnë nëse vendi është gati të kalojë nga krizat te stabiliteti; nga konfliktet e brendshme te bashkëpunimi; nga izolimi te partneriteti; nga fushata për pushtet te fushata për shtet.

Ky është momenti i reflektimit të madh kombëtar.

Është momenti i pjekurisë.

Është momenti i unitetit.

Kosova nuk ka më kohë për eksperimente politike.

Kosova ka nevojë për shtet.

Dhe e ardhmja e saj varet nga përgjegjësia që do të tregojmë më 28 dhjetor.

Me 20 nëntor 2025

K o s o v ë/QendraPress/