Afrim Tejeci; Koncepti i Zonave Industriale dhe i Parkut të Inovacionit duhet të trajtohet si një prioritet strategjik për komunën.

Afrim Tejeci, drejtor i Oda e Prizrenit,fletë zhvillimet ekonomike, ai mes tjerash shkruan: ” Para shumë vitesh kam ngritur publikisht çështjen e krijimit të hapësirave të dedikuara për bizneset prodhuese dhe zejtarët në Prizren, dhe edhe sot qëndroj fuqishëm pas këtij qëndrimi. Prizreni, si një qytet me traditë të gjatë zejtare dhe prodhuese, ka nevojë urgjente për politika konkrete që mbështesin zhvillimin ekonomik lokal. Bizneset, zejtarët dhe prodhuesit prizrenas presin me padurim funksionalizimin e Zonave Industriale dhe krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e veprimtarive të tyre. Pa funksionalizimin e plotë të Zonave Industriale dhe të Parkut të Inovacionit, si dhe pa rishikimin dhe uljen e çmimit të qirasë në ITP, zhvillimi ekonomik i mirëfilltë i komunës do të vazhdojë të mbetet i kufizuar. Këto projekte përfaqësojnë një mundësi reale për rritjen e investimeve, forcimin e sektorit prodhues dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Parku i Inovacionit, në veçanti, mund të shndërrohet në një qendër të rëndësishme për zhvillimin e ndërmarrjeve, inovacionit dhe teknologjisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në fuqizimin e ekonomisë së Prizrenit. Koncepti i Zonave Industriale dhe i Parkut të Inovacionit duhet të trajtohet si një prioritet strategjik për komunën, duke përfshirë sektorët me potencial të lartë zhvillimi dhe duke krijuar mundësi reale për investime dhe punësim. Në një kohë kur vendi po përballet me trendin shqetësues të largimit të të rinjve, mungesa e perspektivës ekonomike rrezikon të sjellë edhe mungesë serioze të fuqisë punëtore në të ardhmen. Prandaj, është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të veprojnë me vendosmëri dhe vizion të qartë për zhvillimin ekonomik të qytetit. Prizreni nuk ka më kohë për të humbur. Zejtarët dhe bizneset kërkojnë veprime konkrete, jo vetëm premtime .”/QendraPress/