Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Sadbere Gagica SPAHIJA

MËSUESI IM, DRITË QË S’PERËNDON
————————————————–
Në bankën e vogël me laps të dridhur në dorë
Ai më mësoi si mbillet fjala në tokë letre
Zëri i tij kambanë mëngjesi
Që zgjonte alfabetin brenda meje
Ai nuk më dha vetëm shkronja
Por çelësa për dyer që s’i njihja
Më mësoi se fjala është bukë
E mendimi dritë që s’lypet me frikë
Në shkollën e mesme kur ëndrrat
Më rriteshin si dallgë të pakontrolluara
Ai ishte fari në breg
Një dorë mbi supe një busull në stuhi
Më tha: “Mos u tremb nga vargu i gjatë
As nga heshtja që të provon
Poeti lind kur guxon të digjet
Si qiri për të tjerët.”
Dhe unë mësova se dështimi
Është hije që largohet nga drita e punës
Sot nëpër takime letrare
Kur fjala ngrihet si zog mbi sallë
E shoh sërish pranë meje
Jo si mësues i katedrës
Por si rrënjë e padukshme që më mban
Ai buzëqesh kur vargu im merr frymë
Si kopshtar që sheh pemën
të japë fryt në stinë të tjera
Mësuesi im nuk ishte vetëm njeri
Por urë midis frikës dhe guximit
Midis fëmijës që dridhej
Dhe poetes që flet sot
Atë e takoja
Nëpër udhën e jetës
Në çdo poezi
Dora ime mban ende
Gjurmën e dorës së tij
Sepse mësuesi i vërtetë
Nuk mbetet në klasë
Ai bëhet kohë
Bhet frymë
Bëhet dritë që s’perëndon
/QendraPress/