Çaste poetike me poeten;-Shyrete DEMAJ

Nanë e kishte emrin.
————————–
Nana shpërndante nga një riskë bukë,
i hidhe pak sheqer përmbi,
buka zbardhej si me borë.
Na ëmbëlsonte si loja e fëmijëve
me topa bore.
Bukën e kishim me racion
por nëna kishte shpirt pa racion
për të gjithë fëmijët e fshatit…
E thërrisnin Nana Dude.
Vraponim në lojë pa brenga,
e nana gatuante për netët e shenjta.
Për ditën e verës
gjithë dashurinë e bënte aromë,
e hidhte mbi sofrën ku shtrohej darka.
Ajo kishte ditëlindjen,
e rilindte çdo ditë vere me gëzimin tonë
kur trupi i saj shkrihej në mundim.
Brengat përtypte nëna ndaj ish e ngopur.
-Hani ju fëmijë, nëna nuk kam uri.
Tinguj lugësh të gëzuara ishin
koncert lumturie i çdo dite vere.
Fjalë të ngrohta nëne
ishin ëmbëlsira që sgjendeshin askund…
/QendraPress/