Fryma festive e poezisë nga poeti ;-Fatmir TERZIU

Dy rrjedha, dy millime
————————————
Shkumbini dehet nga larg në vargun tim
Tamizi habitet kur sheh largësinë…
Shkumbini zbret si një fjalë e vjetër
e thënë nën zë nga gurët,
me baltë në këmbë dhe diell në shpinë,
si zog që zbret nga drurët
me një këngë të pa mbaruar në buzë.
Ai di emrat e lisave,
i njeh shtegtimet e erës nëpër tarraca,
dhe çdo kthesë e tij është një kujtim
që s’e lëshon dot.
Tamizi rrjedh ndryshe,
një mendim i gjatë në një qytet pa gjumë,
me ura që i rrinë sipër si pyetje,
drita që bien mbi të
si vargje të vonuara.
Ai nuk flet me zë,
mban brenda jehonën e hapave,
të njerëzve që kalojnë
pa e ditur se po lënë pas një copë shpirti.
Shkumbini ka mallin e kthimit,
si një nënë që pret në prag,
me bukën e ngrohtë dhe sytë nga rruga.
Tamizi ka mallin e largimit,
si një letër që s’arrin kurrë,
por mbetet duke udhëtuar
nga një dorë në tjetrën, pa adresë.
Dhe diku mes tyre
një poet i ndarë në dy ujëra
pi nga të dyja rrjedhat, u hedh shuplaka syve,
njërën për të kujtuar,
tjetrën për të harruar.
/QendraPress/