Fryma poetike me poetin:-Mehdi KRASNIQI

SHPËRFILLJE
—————————–
Më ra një pikë në fjalë
dhe sythi i saj
u prek në shpirt
Ia pashë hijen që i doli nga lëkura
dhe u mbështet për muri
si dashnore e përzënë pas puthjesh
në orë të vona të natës
ku të gjitha dyert e zemrës janë mbyllur
dhe Zoti ka fjetur në divan.
Këmishën e shpërthekuar
nxjerr nga krahët,
varur mbi supe
si degë molle e thyer në pikën më të dobët
ia pashë dhe rënien pa zhurmë
vetë unë heshta duke ngrënë me sy uritshëm
trohat e vetmisë së saj
përtej kufirit të fjalës
pikës së rënë në pikë pas shkronjës së fundit.
I rashë telave të kitares
sikur udhës
këmbë,
këmbë pas këmbe
asgjë më pak
melodi e heshtur
shkelur pentagrami i saj,
shkelur gjer në rrënjë
Në pjesën e prapme të mallit
një dhomë kujtimesh zbrazur
gjurmë letrash grisur imët
kocka fjalësh, shenja puthjesh
qëllimshëm lënë pasdore…
Pika e rënë
shpërfillshëm
mund të bie
edhe nga rënia
M.K
/QendraPress/