Fryma poetike e së mërkurës me poeten;Zyba HYSA

VENDLINDJE…

—————————

Kokrevë, mall i ndezur në shpirt,

Djeg mall i vjetër, si mall i ri!

Thinja mallit s’i dalin, o dritë,

E pse e thinjur vij sot tek Ti!!

Aty ndjej ëmbël zërin e nënës,

Si kënga e zogjve në zabel,

Më qetësonte rrahjet e zemrës,

I vetmi zë, i pashuar ka ngel!

Aty ndjej përqafimin e babës,

I ngrohtë si flladi që puth lulet,

E unë si lule çilja nën Diell,

Malli i tij, një mall që s’shuhet!

Aty, Kokrevë kam strehuar lodrat,

Sikur në klasë jepja mësim,

Të qeshurat e fëmijërisë pa shkak,

S’kërkon shkak, lumturia në vendin tim!

Aty, kam fshehur ëndrrat rinore,

S’ishin si çdo vajzë për princin e saj,

Veten e shihja në bankat shkollore,

Të vetmen ëndërr që gjallë mbaj!

Aty kam ngazëllimin e diellit,

Kur nxirrte syrin mbi Shebenik,

Eh, ç’ngazëllim i ka dhenë shpirtit,

Sikur të më vinte më i miri mik!

Aty kam lënë këngët e Shkumbinit,

Simfonia më e bukur e kënduar!

Me to shënoja plagët e lëndimit,

Nga faj i pafaj kur qesh dashuruar!

Aty kam çdo gjë që ëndërrova,

Çdo gjë që doja të bëja në jetë,

Në brazdat e tua i shkrova,

Si libër vij, të shfletoj çdo fletë!

Erdha, e dashur vendlindje,

Si erë e marrë, si shkul lumi,

Tek Ti e dashur pësoj rilindje,

Vij prehem, por s’më merr gjumi!

/ZYBA HYSA/

TIRANË, MË 14 PRILL

/QendraPress/