Çaste poetike me poeten;- Elida PRIFTI

ARDHMJA E FËMIJËVE
————————————–
Në duart e vogla fle një fat i madh,
si farë e brishtë në tokën e jetës,
aty ku bota nis çdo shpresë të re,
dhe kohës i jep kuptim të së vërtetës.
Fëmijët rriten nën qiellin e botës,
me ëndrra të pastërta si drita e mëngjesit,
por varet nga ne nëse lulëzojnë
apo në hije humbin rrugën e shpresës.
Çdo fjalë që themi, çdo hap që hedhim,
shkruan në zemrat e tyre një ligj,
dhe e ardhmja e botës nuk lind rastësisht,
por ndërtohet sot me dashuri e kujdes.
Prandaj mbi jetën e tyre të brishtë,
të mos rëndojë kurrë padrejtësia,
se fati i botës, i qetë apo i errët,
fillon e mbaron në duart e fëmijërisë.
/QendraPress/