Çaste poetike me poeten;-Abide GASHI

DURIMI SHPËRBLEHET
———————————–
Durim kur dimri
të kafshon me acar,
kur gjithçka duket
si e vdekur, pa shpresë
se nën borë
jeta merr frymë në heshtje.
Durim kur fusha
skuqet me lulëkuqe,
sepse nuk është veç pranverë,
por kujtesë gjaku
që nuk thahet kurrë.
Durim për nënat
me sy të tharë nga pritja,
që rritën lirinë
me dhimbje në zemër,
deri sa shiu të pushojë,
e ylberi të lidhë
atë që ishte ndarë.
Se durimi nuk është veç pritje,
është besim që nuk thyhet kurrë,
dhe në fund të çdo stuhie,
ai bëhet dritë për jetën dhe për gurë.
Dhe kur koha e gjykon,
ai del i fortë dhe fitimtar.
30 Prill 2026, Mitrovicë
/QendraPress/