Çaste poetike me poeten;-Luljeta F. LUBOVCI

NË KËRKIM TË SHPRESËS

————————————

Ec nëpër rrugë që s’kanë emër,

me hapa të lodhur, por zemër që s’ndalet,

mes hijesh që më ndjekin si kujtime,

dhe dritash që shuhen pa u falë.

Në sy mbaj copa qielli të thyer,

ku dikur ëndrrat fluturonin pa frikë,

tani i mbledh si gjethe në vjeshtë,

dhe i ruaj në shpirt si një dritë.

Shpresa… ku je fshehur vallë?

Në cilin cep të botës je tretur?

Të kërkoj në heshtje, në lotë, në lutje,

si një fëmijë që s’di ku ka mbetur.

Por brenda meje një zë më thërret,

e butë, e heshtur, por e gjallë:

“Mos u dorëzo, edhe nata më e errët,

një agim e ka, një dritë e fal.”

Dhe prapë ngrihem, edhe kur bie,

se shpresa nuk vdes — vetëm fle,

në kërkim të saj jam ende gjallë,

dhe kjo mjafton… që të vazhdoj më tej.

/QendraPress/