Çaste poetike me poeten;- -Rezarta GAGANI

KRONIKA E NJË HARRIMI TË NDALUAR
—————————————————
Këtu gjaku nuk ecën përpara.
Është një lëng i zi që rrotullohet në të njejtin rreth,
duke të bindur se ti nuk lind,
ti thjesht përsëritesh.
Nuk ka histori që tregohet;
vetëm një heshtje që të ulet mbi supe si një rrobë e rendë,
që të tjerët e kanë veshur para teje dhe e kanë lënë
me djersën e tyre.
Fisnikëria nuk është nder, është një dënim i ftohtë,
mënyra sesi të vdekurit të shohin nga
pasqyra kur mendon se je vetëm.
Ti ecën dhe koha të tërheq nga rrobat,
të kthen te një bisedë që ka mbaruar para një shekulli,
te një inat që nuk është i yti,
te një legjendë që ushqehet me hapat e tu.
Ky vend nuk të mban, ai të gërryen,
të merr formën e fytyrës për t’ia dhënë gurit pasardhës.
Nuk ka asgjë për të parë,
vetëm diçka për të ndier:
ndjesinë e të qenit një hije që po humbet peshën,
ndërsa qyteti bëhet gjithnjë e më i rëndë,
gjithnjë e më i gjallë,
gjithnjë e më i uritur për të vërtetën tënde që e quan “zakon”
Në fund, asgjë nuk është jotja.
Edhe rebelimi yt është i parashikuar.
Je vetëm një faqe që kthehet ngadalë,
në një libër që nuk do të mbyllet kurrë,
përderisa ka ende dikë që guxon të kthehet.
/QendraPress/