Çaste poetike me poetin:-Gëzim AJGERAJ

KOSOVË
———————
Të kam gjetur në dridhjen e gjakut të tokës,
në frymën që ngrihet nga dheu si psherëtimë e lashtë.
Ti je prushi që nuk shuhet,
kënga e gurëve që flasin pa gjuhë,
kulla e dritës që rri zgjuar në errësirën e epokave.
Të kam njohur në ëndrra që ecin zbathur
mbi shtigje shekujsh, të lagura me mjegull e lot,
në dëshira që thyhen si qelqi
por rigjenden përsëri në një pikë drite.
Dhimbjet e tua kanë rrënjë thellë,
mbi to jam përkulur si pemë e lodhur nga stuhitë,
kam prekur plagët e tokës sate
që marrin frymë nën hirit, të djegura e të ringritura.
Ti je dhembja që bëhet këngë,
shpresa që ngrihet nga terri si zog i prushëruar,
ti je fjala që nuk shuhet në buzë,
je gjaku i kohës sime,
Kosovë, zemër e përflakur që rreh kundër harresës.
Të kam dëgjuar në heshtjen që kumbon,
si një kambanë e padukshme në kraharorët e gurëve,
në hapin e erës që mbart emra të pashuar,
në dritën që çahet përmes reve
si një besim që nuk mëson të dorëzohet.
Të kam ndjerë në rrahjen e tokës së çarë,
ku rrënjët pinë kujtesë e jo vetëm ujë,
në britmat që nuk dalin me zë
por shkruhen në palcën e kohës,
si një amanet që endet brez pas brezi.
Ti je hija që nuk trembet nga nata,
flaka që ushqehet me kujtesë e qëndresë,
je rruga që lind nga vetë plagët e saj,
je drita që mëson errësirën të të njohë,
Kosovë, frymë e thellë që s’pranon të shuhet.
/QendraPress/