Mos harro kush je!-Nga Natyra Mavraj

Mos harro atë që ka kaluar dhe tashmë i përket kohës së shkuar, sepse pikërisht mbi ato kujtime është ndërtuar njeriu që je sot. Mos harro, as edhe për një minutë, gjithçka që ke përjetuar. Mos lejo që egoja e komercializimit të të largojë nga rrënjët e tua, duke harruar ata që të dhanë dorën, forcën, dashurinë dhe besimin për të arritur këtu ku je sot.
Mos harro askënd që të bëri të ndiheshe si një fëmijë i lumtur, edhe nëse sot je nënë, baba, gjyshe apo gjysh. Mos harro kohët kur kishe pak, por gjithmonë ishte dikush që të mbante krahët fort.
Ti je ngritur mbi sfida, lot, buzëqeshje, ëndrra, ambicie, humbje dhe mbi çdo përvojë që të ka formuar. Kur e vërteta humbet mes zhurmave të botës, mos harro rrugën që ke përshkuar, qoftë mbi lule apo mbi gjemba. Kriza e autenticitetit përpiqet ta ndryshojë njeriun, por mos u bë pjesë e atyre lojërave që të largojnë nga vetvetja.
Estetika e zbrazëtisë po zë vend sepse shpirtit po i humbet bukuria e brendshme, duke u fshehur pas maskave dhe artificave, ndërsa harrohet se asgjë e rreme nuk zgjat përgjithmonë. Frika nga zakonshmëria i ka shtyrë njerëzit të jetojnë për sytë e të tjerëve. Kult i imazhit, emocione të paqëndrueshme dhe mungesë rrënjësh — sa trishtuese është kur njeriu fillon të shndërrohet në një produkt për t’u shitur, duke harruar se ka shpirt, zemër dhe ndjenja.
Durimi po shuhet dhe dashuria po copëtohet. Njerëzit largohen më shpejt sesa përpiqen të kuptojnë njëri-tjetrin. Mos ndërtoni madhështi të rreme vetëm për t’u dukur, sepse vlera e njeriut nuk matet me fasadë. Suksesi nuk ka nevojë për zhurmë dhe askush nuk bëhet i madh duke lavdëruar vetveten.
I miri nuk mbetet kurrë i keq, ndërsa ai që jeton me maska dhe mashtrime harron se çdo gjë që mbjell, një ditë do ta korrë. Mos harro se koha ecën dhe horizonti i jetës zbehet dita-ditës. Mbaji pranë ata që kanë qenë gjithmonë aty për ty. Mos bli njerëz të rinj për t’u dukur më i rëndësishëm, sepse vlera nuk fitohet duke shitur tëndin për të huajin.
Jetoni, qeshni, këndoni, vallëzoni dhe shijoni çdo etapë të jetës — rininë, pleqërinë, fitoret, humbjet dhe dëshpërimet — sepse të gjitha janë pjesë e rrugëtimit tuaj. Por mos lejoni kurrë që të jetoni pa dinjitet, duke u bërë pjesë e çdo goje dhe çdo gjykimi.
Jini të vërtetë, sepse vetëm të vërtetët dinë të duan me shpirt, pa maska dhe pa interesa.
Jeta është një udhëtim i gjatë, plot sfida, tundime dhe ndryshime. Janë pikërisht ato momente që na formojnë. Shpesh harrojmë të kthejmë kokën pas për të parë gjurmët tona — gjurmë të mbushura me buzëqeshje, lot, ëndrra, vështirësi dhe mbështetje. Ndaj duhet të ndalemi dhe të reflektojmë mbi rrënjët tona dhe mbi ata që na kanë qëndruar pranë pa interes.
Mos harroni kurrë kush ishit, kush jeni dhe kush po bëheni. Mirënjohja është virtyti që i mban gjallë rrënjët tona dhe na kujton sakrificat e atyre që dhanë shumë që ne të buzëqeshnim sot.
“Kush ishit” është kujtesa e rrugëtimit tuaj. Çdo njeri ka një histori, një fillim të thjeshtë, një periudhë të vështirë apo një moment kur gjithçka dukej e pamundur. Pa njohur të kaluarën, nuk mund të kuptojmë vlerën e së tashmes.
“Kush jeni” është pasqyra e karakterit, e zemrës dhe e shpirtit tuaj. Ndërsa “kush po bëheni” është përgjegjësia më e madhe që mbani mbi vete.