Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

MJEGULLNAJË NË GJEOGRAFINË E SHPIRTIT
———————————————————-
Në breg të një kohe që s’njeh breg,
u ula të bëj autopsinë e hapave të mi;
aty ku rruga nuk është më rrugë,
por shteg që kthehet përmbys mbi një tjetër rini.
Guri i shkallës, ai metronomi i vjetër i shtëpisë,
rreh ende në pulsin e mendimit të mërguar,
ndërsa ylberet e rrejshme të një tjetër hapësire,
na i vranë ëndrrat me dritë të huaj, të pajetuar.
Ne jemi arkitektët e piramidave të mallit,
ku çdo gur është një dekadë e ngrirë në ikje,
ku gjeografia nuk matet me kilometra të malit,
por me gjerësinë e një plage që s’njeh fikje.
Dielli ynë ka mbetur peng në një tjetër kthinë,
këtu ngroh vetëm hija e një drite pa rrënjë,
as njerkë nuk gjetëm që të na falte një stinë,
kur na digjte gjoksi për një zë nëne.
Dhe vargu, ky lypsar i dhimbjes sime,
shkrumbon muzën mbi thëngjijtë e kujtesës;
jeta e mërgimtarit, një autopsi pa mbarime,
mbi kufomën e bukur të një shprese dhe një bese.
/QendraPress/