Çaste poetike me poeten;-Asja MULGECI

VEND KRESHNIKËSH E SHTOJZOVALLESH

——————————–

Alpeve t’mija, qielli pin dritë, n’heshtimë vdekatare…

Mendja tretet majash si bora n’agim

Çdo hap asht pyetje pa kthim,

çdo frymë, nji grishje horizontesh pa grim.

Gurnajat janë libra që s’janë shkrue me laps

koha n’to ka firmosë motet n’ndrrim, çdo uturimë,

çdo çarje shkambinjsh, nji dhimbë, nji fjalë e pathanë,

çdo hije peme e rrzueme nji plagë e pashërim,

nji kujtim harrue lugjeve…

Thepnajave era sjell zana që s’janë ma,

si andrra që treten pa zà,

zemra i ndjek mjegullnajash pa e dijtë

se njatyne mrizeve janë dashtë djem e çika

qe u shuen si rigat mbi Valbonë,

luftnash, pabesisht iu zu prita

Tash majat premtojnë nji fund t’qetë,

zbraztia flet ma drejt,

se rruga s’asht zvarritje n’dritë pa sy

ajo skulpturon zhveshjen e shpirtit prej çdo prite

Luginat mbledhin gjiut , at çka lanë pas stinët

si koha që s’kthehet mbrapsht asnji çast,

Na, si hija n’perëndim, zgjatemi pak çuditshëm,

mandej humbasim si dielli zan n’çark.

Alpet s’janë veç nji vend thepinash

që puthin qiejt cullak,

po nji pasqyrë pa emën, pa zemër,

që përpliten tue u puthë n’shtrat diejsh

njaty ku njeriu sheh,

pa mujtë me e mshehë vedin aspak

veç nji takim tokë-qiell, ku njerzit bahen lisa,

mbështetun supesh varg e varg,

ai vend shtojzovallesh

e djemsh kreshnikë e shtatbajrak!

/QendraPress/