Çaste poetike me poeten:-Xhuli SPAHIU

Gjysma e Shpirtit në Gurbet
————————————–
U ktheva për Kosovë,
me valixhen plot rrugë
dhe zemrën të ndarë në dy horizonte.
Njëra anë udhëton me mua,
mbi krahët e kujtimeve,
drejt tokës që më pret me zemër
dhe më thërret me emër.
Tjetra mbetet larg, në gurbet,
aty ku qeshin fëmijët,
ku rriten nipat e mbesat,
si degë të reja të pemës sime.
Në sytë e tyre lashë stinët e mia,
në përqafimet e tyre
copëza drite nga vitet që kaluan.
Rruga më kthen në vendlindje,
por jo të tërin.
Gjysma e shpirtit mbetet atje,
mes zërave që më thërrasin gjyshe,
mes duarve të vogla që valëvitin lamtumirën.
Kështu jeton mërgimtari:
me një këmbë në atdhe,
me tjetrën në mall,
duke ndërtuar ura të padukshme
mes dy botëve që i do njësoj.
Sot nisem për Kosovë,
por zemra ime e di mirë:
nuk ka udhëtim që më largon
nga ata që i mbaj brenda vetes,
në thellësi të shpirtit tim.
/QendraPress/