Në kërkim të një “Këmishe të Re” për shqiptarët apo kaos?!-Shkruan: Av.Ruzhdi GASHI

Kthimi i zogjve në folenë e tyre dhe këndellja e zogjve vendorë, të lindur e të rritur në vatrat e luftës dhe të tranzicionitTri dekadat e gjysmë të fundit kanë qenë ndër periudhat më të rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve. Nga rënia e komunizmit në Shqipëri, zona 1, luftërat çlirimtare në Kosovë, zona 2, lufta çlirimtare në Maqedoninë e Veriut, zona 3, përpjekjet e vazhdueshme për të drejta kombëtare në Luginën e Preshevës,zona 4, në Mal të Zi, zona 5 dhe në Çamëri, zona 6, deri te ngritja e diasporës shqiptare në Evropë dhe më gjerë, zona 7, shqiptarët kanë kaluar nëpër procese të mëdha transformimi politik, ekonomik dhe shoqëror.
Këto zhvillime kanë sjellë fitore të rëndësishme. Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut siguruan më shumë të drejta politike. Shqipëria u integrua në NATO dhe avancoi në proceset evropiane. Diaspora u shndërrua në një faktor të rëndësishëm ekonomik dhe kombëtar. Megjithatë, pas gjithë këtyre arritjeve, një pyetje po shtrohet gjithnjë e më shumë: A po kërkojnë shqiptarët një “këmishë të re” që i përshtatet kohës së sotme, apo rrezikojnë të futen në një periudhë kaosi dhe paqartësie?
Në vitet e vështira të tranzicionit dhe të luftërave, prioriteti kryesor ishte liria, mbijetesa dhe ndërtimi i institucioneve kombëtare. Sot, pas 35 vitesh, realiteti ka ndryshuar. Brezat e rinj nuk jetojnë më me shqetësimet e brezit të viteve ’90. Ata kërkojnë demokraci funksionale, ekonomi të zhvilluar, drejtësi sociale, arsim cilësor dhe mundësi të barabarta. Me fjalë të tjera, “këmisha” që i përshtatej shqiptarëve në kohën e tranzicionit është bërë e ngushtë për nevojat dhe aspiratat e sotme.
Ky zgjim po shfaqet në të gjitha hapësirat shqiptare.
Në Kosovë, qytetarët kërkojnë më shumë zhvillim ekonomik dhe perspektivë.
Në Shqipëri, po shtohen zërat që kërkojnë një demokraci më funksionale dhe një shpërndarje më të drejtë të pasurisë.
Zhvillimi: arritjet, hendeku social dhe zhgënjimi politik
Sot, shqiptarët kanë shënuar arritje të jashtëzakonshme, si brenda dhe veçanërisht në diasporë (Zona 7), ku janë integruar, arsimuar dhe fuqizuar ekonomikisht e politikisht. Megjithatë, ky sukses jashtë kufijve kontraston me realitetin e hidhur brenda foleve amtare, e posaçërisht në Shqipëri.
Përkundër zhvillimit të infrastrukturës, turizmit dhe integrimit në NATO e BE, dy plagë të mëdha po e brejnë shoqërinë shqiptare:
a) mungesa e rrotacionit demokratik: mungesa e një opozite të besueshme dhe riciklimi i të njëjtëve liderë që nga viti 1990 ka krijuar një burokraci të ngurtë dhe
b) hendeku i thellë ekonomik: ndërsa një pakicë shijon luksin, makinat e shtrenjta dhe hotelet luksoze, pjesa më e madhe e popullit – vegjëlia – përballet me pamundësinë ekonomike për të shijuar frutat e vendit të vet.
Ky realitet ka nxitur lëvizje dhe protesta të fundit, të cilat, megjithëse nisën me nuanca të tjera, për Zvërnecin dhe kundër Amerikës- Trumpit dhe Izraelit-ebrejëve, shpejt u orientuan drejt kërkesave legjitime për më shumë demokraci dhe luftë kundër korrupsionit.
Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë barazi të plotë.
Në Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe Çamëri, kërkesat për të drejta kombëtare mbeten të gjalla. Ndërsa diaspora, tashmë e konsoliduar ekonomikisht dhe profesionalisht, kërkon një rol më aktiv në jetën kombëtare.
Në thelb, kjo është një kërkesë për një kontratë të re shoqërore shqiptare. Është kërkesa që liria politike të shoqërohet me mirëqenie ekonomike, që zhvillimi të mos mbetet privilegj i një pakice dhe që demokracia të mos reduktohet vetëm në proces zgjedhor. Shqiptarët po kërkojnë të jenë pjesëmarrës të barabartë në të mirat që janë krijuar në trojet e tyre.
Por këtu lind edhe dilema. Çdo lëvizje e madhe për ndryshim mbart brenda vetes mundësinë e progresit, por edhe rrezikun e kaosit. Pakënaqësitë sociale mund të shndërrohen në energji pozitive për reforma, por mund të manipulohen edhe nga interesa të ndryshme politike, ekonomike apo gjeopolitike. Historia ka treguar se në momente të tilla, përveç zërit të qytetarëve, aktivizohen edhe faktorë të jashtëm që kërkojnë të ndikojnë drejtimin e zhvillimeve, siç po ndodhë në zonë 2 dhe 3, ku devijinet janë mjaftë evidente për të dalur nga shinat euroatlantike.
Pikërisht për këtë arsye, shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm. Kërkesa për ndryshim është legjitime dhe e domosdoshme, por ajo duhet të mbetet e lidhur me interesat kombëtare dhe me orientimin euroatlantik që ka qenë boshti i suksesit të shqiptarëve gjatë dekadave të fundit. Çdo devijim nga ky orientim do të krijonte pasiguri dhe do të rrezikonte arritjet e fituara me shumë sakrifica.
Në këtë kuptim, metafora e zogjve që lanë folenë merr një domethënie të veçantë. Miliona shqiptarë u larguan nga vendlindja për të mbijetuar. Sot, shumë prej tyre po kthehen me kapital, dije, përvojë dhe vizion. Ata nuk po kërkojnë të rikthejnë të kaluarën, por të ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Ata kërkojnë një fole më të fortë, më të drejtë dhe më të begatë për brezat që vijnë.
Prandaj, sfida e shqiptarëve sot nuk është zgjedhja midis ndryshimit dhe status quo-së. Sfida e vërtetë është zgjedhja midis një ndryshimi të mençur dhe një kaosi të rrezikshëm. Kërkimi i një “këmishe të re” është i natyrshëm dhe i domosdoshëm për një komb që ka ndryshuar dhe është zhvilluar. Por kjo këmishë duhet të qepet me mençuri, me përgjegjësi dhe me vizion, në mënyrë që të mos shqyhet ajo që është ndërtuar me aq mund gjatë këtyre 35 viteve.
Shqiptarët kanë kaluar stuhi shumë më të mëdha se kjo. Ata kanë dëshmuar se dinë të orientohen drejt në momentet vendimtare të historisë. Prandaj, besoj se edhe sot do të dinë të gjejnë rrugën e duhur: jo drejt kaosit, por drejt një etape të re zhvillimi, demokracie dhe mirëqenieje kombëtare.
Pyetja mbetet e hapur: A do të arrijmë ta qepim këmishën e re që i përshtatet kohës sonë, apo do të lejojmë që pakënaqësitë të na shtyjnë drejt një kaosi të panevojshëm? Përgjigjja, si gjithmonë, mbetet në duart e vetë shqiptarëve patriotë, atyre që luftun për çlirim kombëtar, për liri dhe demokraci./QendraPres/