Çaste poetike me poeten;- Mirvete Kabashi – LEKU

MBI VALËT E VALBONËS

———————————

​Tik-taket e zemrës s’ishin rrahje,

por numërim i gjatë nën muret e mallit,

ku orët mbetën pezull, si frymë e ndalur,

në pritje të një zgjimi.

​Përtej Alpeve, mjegulla fshihte lotin,

tokë me emrin e shenjtë nanë.

Një gjuhë që na thërriste përtej mishit,

nga plagët e hapura nëpër tela

e kufij.

​Rrugët kishin pranga, hapat ngrinin në prag,

ëndrrat tona arratiseshin fshehur,

si zogjtë që s’njohin doganë,

mbi telat e rrahur nga era e ftohtë.

​Valbona na vinte si profeci drite,

na e lagte ballin me kristal e kaltërsi,

ishte e vetmja rrugë që s’pyeste për roje,

ujë që na shuante etjen e vjetër për liri.

​Sot, ato maja që dikur na ndanin si mure,

janë kthyer në harqe urash prej guri;

Alpet nuk janë më heshtje që vret,

por katedrale ku këndohet bashkimi.

​Mbi valët e Valbonës sot hedhim vargjet,

jo si rreshta letre, por si dritë mbi ujë;

Dje na ndante harrimi dhe tehu i thikës,

sot na bashkon liria, e purpurt, si kjo rrugë.

/QendraPress/