Çaste poetike me poeten;- Mirvete Kabashi – LEKU

MBI VALËT E VALBONËS
———————————
Tik-taket e zemrës s’ishin rrahje,
por numërim i gjatë nën muret e mallit,
ku orët mbetën pezull, si frymë e ndalur,
në pritje të një zgjimi.
Përtej Alpeve, mjegulla fshihte lotin,
tokë me emrin e shenjtë nanë.
Një gjuhë që na thërriste përtej mishit,
nga plagët e hapura nëpër tela
e kufij.
Rrugët kishin pranga, hapat ngrinin në prag,
ëndrrat tona arratiseshin fshehur,
si zogjtë që s’njohin doganë,
mbi telat e rrahur nga era e ftohtë.
Valbona na vinte si profeci drite,
na e lagte ballin me kristal e kaltërsi,
ishte e vetmja rrugë që s’pyeste për roje,
ujë që na shuante etjen e vjetër për liri.
Sot, ato maja që dikur na ndanin si mure,
janë kthyer në harqe urash prej guri;
Alpet nuk janë më heshtje që vret,
por katedrale ku këndohet bashkimi.
Mbi valët e Valbonës sot hedhim vargjet,
jo si rreshta letre, por si dritë mbi ujë;
Dje na ndante harrimi dhe tehu i thikës,
sot na bashkon liria, e purpurt, si kjo rrugë.
/QendraPress/