Çaste poetike me poeten;-Zamira HAJDARI

Fjalë…
——————–
Fjalë kaotike, të shpërbëra,
janë mbledhur në syrin e ciklonit,
gati të shpërthejnë,
ashtu rrëmujshëm,
të më rrëmbejnë,
të shpërbëjnë qenien time.
Deti i fjalëve nuk e njeh zbaticën.
Sulmojnë e sulmojnë fuqishëm.
Cunam lotësh, tornado dhimbjesh,
përplasen mbi gjoksin tim,
më hakërrohen,
urrejtshëm,kërkojnë fajtorin te unë.
Unë jam bregu.
Herë i fuqishëm si shkëmbinjtë e Jonit,
herë i brishtë si ranorët e Adriatikut.
I lejoj të më godasin,
të tretem në dhimbje…
E ndoshta trupi im
shndërrohet në bosht,
ku fjalët rrëmujë
të mblidhen
e të marrin kuptim…
/QendraPress/