Haradinaj: Opozita duhet të ketë presidentin ose kryeministrin.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për procesin e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve, duke theksuar nevojën për bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës.Haradinaj, i cili të mërkurën u regjistrua si deputet, tha se rezultati zgjedhor kërkon që partitë politike të angazhohen për krijimin e institucioneve përmes një qasjeje të përbashkët.Ai u shpreh se, sipas tij, dallimi në numrin e deputetëve ndërmjet pozitës dhe opozitës kërkon që vendimmarrja institucionale të jetë rezultat i bashkëpunimit politik.
“Unë mendoj që opozita mundet me ndihmuar në krijimin e institucioneve, por kuptohet duhet të ketë bashkëvendimmarrje, jo vetëm marrje pjesë në ekzekutiv”, tha Haradinaj.
Sa i përket pozitave të larta shtetërore, Haradinaj tha se rezultati zgjedhor duhet të merret parasysh në përcaktimin e tyre, duke përmendur postet e kryeministrit dhe presidentit.
Ai foli edhe për mundësinë e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se për këtë çështje nevojitet një marrëveshje politike mes subjekteve parlamentare.
Haradinaj tha se AAK-ja është e gatshme të kontribuojë në krijimin e institucioneve, nëse procesi bazohet në bashkëpunim dhe ndarje të përgjegjësive.
“AAK-ja nuk synon në asnjë variant vetëm përfitimet e pushtetit, por nëse kemi realisht me e ndihmuar Kosovën në krijimin e institucioneve, në ndarjen e vendimeve ose në bashkëvendimmarrje, atëherë po”, deklaroi Haradinaj.