Çaste poetike me poeten;-Mira Zaho MËHILLI

E përkohshme

————————–

Pas një nate të magjishme,

kur kthjelltësisë së qiellit,

ëndrra vegimtare, yjet

shpirtit kanë zbarkuar,

teksa zgjohesh ndjen,

trysninë e qiellit të errësuar.

Oshëtima bubullimash,

frikshëm veshëve gjëmojnë,

dukshëm portretit,

trishtim e ankth të skicojnë.

Idhësisht përtej dritares,

pamje e tjetërsuar,

kapriçoze, retë e dendura,

qiellin kanë zaptuar.

Me dufin e inatçorit,

njëra-tjetrën shtyjnë,

t’i hapin rrugë rrebeshit,

përbindshëm të shfryjë.

Përkohësisë së befasisë,

mendimeve hutuar,

lodhje e ditës së panisur,

barrë e rëndë, krahëve lëshuar.

Që gjithçka është kalimtare,

kthjelluar e mendon,

përkohësi e pashmangshme,

nuk është iluzion.

Dhe ja, rrezet e diellit,

çarrjes së reve zgjatohen,

mes ngyrash ylberi,

zë ditës t’i gëzohesh.

/QendraPress/