Çaste poetike me poeten;- Principessa SOFIA

Pasthirmat e Shpirtit

———————————-

Dikush zgjohet me një buzëqeshje në buzë,

nga një ëndërr që s’u thye mes natës…

Dikush tjetër, me lot në sy,

nga një kujtim që s’e lë të qetë.

Një zemër ngrihet e përgjakur,

nga fjalë që i prenë krahët,

tjetra pret një “mirëmëngjes”

që s’erdhi kurrë,

nga goja e atij që iku pa kthim…

Dikush s’do të zgjohej më —

lodhur nga betejat që askush nuk i pa…

Dikush pret një përqafim,

si buka që pret një gojë të uritur.

Dikush zgjohet me ëndrra të burgosura,

si zogj në kafaze të padukshëm…

Dikush s’ka fjetur gjithë natën —

sepse dhimbja ka ritmin e vet,

e s’pyet për orë, as për lodhje.

E megjithatë…

ja ku jemi prapë,

me shpirtin nëpër duar,

me shpresën si këmishë të grisur,

por ende mbi trup.

Sepse secili ka një arsye…

të shkojë përpara,

edhe kur s’ka kush e pret në fund.

Të jetosh — është një akt trimërie.

Të marrësh frymë — një sfidë e heshtur.

Të qeshësh — një fitore mbi dhimbjen.

Mos u dorëzo…

Ti që ke parë natën nga afër.

Ti që e njeh mirë ftohtësinë e shtratit bosh,

heshtjen e telefonit që nuk tingëllon,

sy të lagur që i fshinë mjekra, jo dora.

Sfidoje jetën!

Me dinjitet.

Me guxim.

Me një zemër që ka qarë, por s’ka heshtur.

Sepse kjo botë i përkul gjunjët

vetëm para atyre që nuk dorëzohen..

/QendraPress/