Çaste poetike me poeten;-Arbana ARBA

DITË E RE
—————————
Vjet ishte 11 gusht 2025,
ndërsa sot 11 gusht 2026.
E unë, ndryshe nga një ditë më parë,
jam njëzet e katër orë rrotullim i plotë.
Po,
i njëjti rrethrrotullim në treqind e gjashtëdhjetë gradë,
por i ndryshëm në hapësirë,
në kohë.
Kushdo që më ka njohur,
nuk më njeh më,
madje edhe një orkide
që e kujdesja
u vyshk prej kujdesit të tepërt.
Dhe jo vetëm unë,
por gjithsecili nga ne
është një vizatim me ditën e re.
Dhe gjithçka merr emrin e stampimit
që shkaktohet nga fërkimi
i forcave shtytëse dhe tërheqëse,
pashmangshmërisht e varur,
jo vetëm nga ty.
Dhe Dielli,
megjithëse po i njëjti,
pasqyrimin e rrezes
në një kënd tjetër ma çon.
E si pasojë,
dhe Hëna zemërohet
në baticën e radhës,
për t’u tërhequr më shumë
në guackën e zbaticës.
Sot, ju e dini,
është një dje,
një vit më shumë,
ashtu si sekonda
zemra ime ndan shekujt,
mijëvjeçarët dhe erërat,
erërat
para dhe pas kohës sonë.
Mirëmëngjes, ditë e re!
/QendraPress/