Çaste poetike me poetin;-Gazmend BEQAJ

Familja ime
———————————–
Duke gropuar veten
në kërkim të rrënjëve
që rriten gjithë këto degë
me vargjet e mia
nisa t’i ledhatoj mallshëm
kujtimet e buzëqeshura
zhgënjimet e jetës
të gjitha pengesat e kohës
të kthyera në shkallë
që më ringriten
e më mbajtën gjallë
Duke gropuar veten
krejt të pajetuarat e jetës
që borxh ia pata vetes
nis të ngrejnë krye
e t’më kërkojnë shpagim
frymën ma zënë
trupin ma rrënqethin
e në mua zgjojnë dyshim
për bekimin e gjurmëve të mirësisë
që udhëve të jetës
pas vetes kam lënë…
Duke gropuar veten
nga një kodër jo larg ëndrrës
vetes i thashë
s’duhet të jam i zhgënjyer
e të ndihem bosh
sa herë përqaf fëmijët e mi e ndiej
gjithë madhështinë e jetës
të më rrjedhë ndër dej
se është familja e shëndosh
është familja ime
satisfakcioni më i madh i jetës sime
/QendraPress/