Fryma poetike e së mërkurës me poetin;Enver SAHITI

SIKUR TË BËHESHE GOTË

——————————-

 Sikur të bëheshe gotë,

do të mbaja në buzë,

e i dehur nga ti, do të rrija gjatë,

pa të lëshuar nga duart.

Do të pija ngadalë çdo

pikë të dashurisë sate,

që të mos më mbaroje kurrë, e në fund,

do t’i puthja buzët e gotës,

aty ku ti do të kishe mbetur.

Sikur të bëheshe gotë,

do të të mbaja pranë zemrës,

jo për të të pirë,

por për të të ndier— si një etje që vetëm

dashuria di ta shuajë.

Dhe kur nata të zbriste mbi ne,

do të të mbaja në buzë si një puthje të pafund,

 që koha s’do të mund ta shuante.

 Do të pija nga heshtja jote,

nga fryma, nga afshi,

nga çdo fjalë e pathënë,

derisa buzët e mia të mësonin

përmendësh shijen e emrit tënd.

E nëse një ditë do të thyhej kjo gotë,

do t’i mblidhja copëzat një nga një,

sepse edhe e thyer,

do ti mbajnë ende buzët e mia.

/QendraPress/