Çaste poetike me poetin:-Nexhbedin BASHA

KUR FLET DHEU, ZGJOHEN RRËNJËT
——————————————————
Një trajstë do të marr e do ta mbush te përroi i vjetër,
Me dheun që fsheh nën vete shekuj do shkruaj histori,
Do të gërmoj në gurë e do të kërkoj në letër,
Për rrënjët e lashta që ende s’i dimë…
Dhe dheun do ta ruaj si dritën e jetës,
Si amanetin e brezave që ikën nëpër kohë,
Se ndoshta në një grusht të tij fle
një emër,
Një gjurmë, një dëshmi, një botë e mbuluar nën tokë.
Dhe ai do të më flasë me gjuhën e bilbilave,
Do të më tregojë për aromën e trëndafilave,
Për gurët në male e kështjellat e lashta,
Për luftën me harqe e kryqëzimet e shpatave…
Do të më flasë për njerëzit që ecën mbi këtë tokë,
Për rrënjët e tyre të ngulura thellë në shekuj,
Për atë që koha e mbuloi me heshtje e harresë,
Por që dheu e ruajti në gjirin e kujtesës.
Dhe dheu më flet, si toka rrënjëve,
E unë shkruaj si kronikani në betejë,
E marr atë grusht dhe e ruaj në gji me ëndje,
Si amanet që s’duhet të humbasë në jetë.
Ta lëmë brez pas brezi, shekuj pas shekuj,
Si zjarr që kurrë nuk duhet të shuhet,
Që ata që vijnë pas nesh të dinë
nga kanë ardhur,
Të mos harrojnë rrënjët dhe të dinë ku ruhen…
/QendraPress/