Çaste poetike me poetin:-Gëzim AJGERAJ

KUR GURËT HARROJNË HAPAT
—————————————————-
Kur të heshtin kullat, edhe hija do ta harrojë lartësinë e vet,
e pragjet, të lodhura nga pritja, do të mbyllen brenda gurit.
Kur merimangat ta kenë lidhur portën me fijet e padukshme të kohës,
do të duket sikur shtëpia nuk është braktisur,
por ka hyrë ngadalë në një ëndërr prej së cilës askush nuk zgjohet.
Bari do të ngjitet mbi oborr, si një kujtesë që nuk di më kujt t’i përkasë,
dhe kosa, e varur në mur, do ta ruajë ndryshkun si një plagë të vjetër të familjes.
Kumbulla do të lulëzojë pa dëshmitarë, do t’i mbajë frutat në degë,
si mendime të pashprehura, pastaj vjeshta do t’i mbledhë një nga një
siç mbledh koha emrat prej kujtesës.
Vreshta do të mbetet pa rrush, dhe hardhitë, të verbuara nga dielli,
do të kërkojnë në tokë një dorë, që dikur dinte t’u jepte kuptim.
Arat do t’i mbulojnë ferrat, por ferrat nuk janë armiku i tokës,
janë vetëm koha, që ka mësuar të rritet aty ku njeriu mungon.
Dhe një ditë do të kalojmë pranë asaj shtëpie, pa e ditur se aty,
dikur kishte një jetë, sepse harresa nuk i shemb muret menjëherë,
së pari ua fshin kuptimin.
Gurët e sokaqeve do t’i harrojnë hapat tanë,
rrugët do të mbeten të shtruara me një heshtje
që asnjë këmbë nuk do ta thyejë.
Edhe kënga, dikur e varur nëpër male, do të mbetet pa jehonë,
ndoshta jehona nuk humbi në lugina, ndoshta ajo u kthye brenda nesh
dhe nuk gjeti më askënd për t’iu përgjigjur.
Kur nëna të ketë kaluar në anën tjetër të kohës,
kush do t’i vajtojë udhët tona?
Kush do ta dijë se cilin prag kemi puthur para se të iknim,
cilën derë e kemi lënë hapur, cilin emër e kemi mbajtur fshehur
nën gjuhë si një lutje?
Zogjtë e pranverave të reja do të zbresin mbi degë
dhe nuk do ta njohin flokun e saj,
as dorën që u hidhte thërrime mëngjeseve,
as zërin që i mësoi oborrit, të mos kishte frikë nga dimri.
Atëherë emri yt do të mbetet vetëm një tingull,
në gojën e një kohe që nuk e di çfarë do të thotë.
Dhe guri, edhe ai, do të plaket.
Gjurmët do t’i zbehen nën shi, shiu do ta harrojë emrin,
emri do ta harrojë njeriun, dhe njeriu, për herë të fundit,
do ta kuptojë se vdekja nuk është të pushosh së jetuari,
është të mos ketë më askush, që ta kujtojë se ke jetuar.
Vaj halli për ne, që ndërtojmë shtëpi sikur do të qëndrojmë përgjithmonë,
dhe ikim prej tyre, sikur koha të na ketë dhënë
një adresë të përkohshme në univers.
Ndoshta, prandaj nëna vajtonte në heshtje,
ajo e dinte se shtëpia nuk mbetet pas nesh,
ne mbetemi pas saj, si një ëndërr që kërkon ende trupin e vet.
Dhe kur të mos mbetet më askush, për ta thënë emrin tonë,
ndoshta një erë e vonë, do të kalojë nëpër avlli, do të prekë kumbullën,
gurin, portën, dhe për një çast të pakuptueshëm,
do të duket sikur dikush po kthehet.
Por nuk do të kthehet askush.
Vetëm kujtesa, ajo vajtojësja e fundit e njeriut,
do të endet edhe pak, mes mureve të zbrazëta,
duke kërkuar një emër, që koha ende nuk ka arritur ta vrasë.
/QendraPress/