Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

KATANDIA

—————–

Shumë këmbë shkelën mbi këtë tokë,
erdhën me emra, rrojtën pak, dhe ikën pa e pyetur gurin
ç’mbante mend prej tyre.

Erdhi edhe brezi ynë, me duar plot çelësa
e me porta që nuk di t’i hapë, me fjalën të veshur bukur
dhe shpirtin të zhveshur, përballë pasqyrës.

Thonë; me ne s’ka më kthim,
s’ka besë, s’ka nder, s’ka as ai zëri i vjetër
që e mbante fjalën, më të rëndë se gurin.

Të parët, jetuan me bukën e mangu
dhe me një qiell të madh mbi krye,
vuajtën, por nuk ia shitën shpirtin
as urisë, as frikës, as kohës.

Robëria ua lidhi duart, por jo ndërgjegjen,

Ua mori bukën, por jo fjalën,

Ua ngushtoi jetën, por nuk ua zvogëloi, atdheun.

Në kullat e tyre, besa nuk ishte fjalë, ishte themel.

Nderi nuk ishte stoli.

Ishte mënyra, si njeriu e mbante kokën
kur askush nuk e shihte.

Dhe ata mbollën, nëpër breza, atë që nuk shkruhet në libra;

një emër që nuk turpërohet, një fjalë që nuk thyhet,

një derë që nuk mbyllet, para mikut, një tokë që nuk shitet
për një grusht ari.

Por ne, çfarë bëmë me trashëgiminë?

E vumë në vitrinë, si një relike dhe harruam,

se virtyti nuk ruhet, duke e parë.

Ai jeton, ose vdes, në duart tona.

Dhe ja ku u kthyem, te mosha e tyre;

pesëdhjetë, gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë…

Mosha kur njeriu, duhet të bëhet kujtesë
për ata që vijnë.

Por në vend të kujtesës, gjetëm një pasqyrë,

dhe ajo pasqyrë, nuk na njohu.

Na pa si njerëz, që kishim trashëguar kullat,
por kishim humbur, çelësat e tyre.

Ç’brez është ky, që i ka të gjitha
dhe nuk di, çfarë i mungon?

Na dhanë lirinë, dhe ne e morëm për leje
për të harruar.

Na dhanë pasurinë dhe ne e matëm shpirtin
me peshoren e saj.

Na dhanë botën dhe ne humbëm, brenda vetes.

Ndoshta nuk na helmoi varfëria.

Ndoshta na helmoi, frika se mos mbeteshim pa pasuri.

Ndoshta nuk na prishi, liria.

Ndoshta ishte, keqpërdorimi i saj
që na bëri robër, të dëshirave tona.

Sepse njeriu, mund të ketë një shtëpi
dhe të mbetet pa strehë; mund të ketë mijëra fjalë,

dhe të mos ketë një të vetme, që ia vlen ta mbajë;

mund të ketë gjithë botën, dhe të mos ketë, asnjë arsye
për të mos e shitur veten.

Dhe sot, kur kthehemi pas e kërkojmë fytyrën, e të parëve,

ata ndoshta, nuk na qortojnë.

Vetëm heshtin.

Sepse të vdekurit, kanë një mënyrë të çuditshme
për të na gjykuar: na lënë, të jetojmë me atë
që kemi bërë prej vetes.

Atëherë pyetja, nuk është:

Çfarë na ndodhi?

Pyetja është më e rëndë: Çfarë bëmë me atë që na lanë?

Dhe kulla, atje larg, ende qëndron.

Guri nuk ka harruar, toka nuk ka harruar.

Besa ndoshta, ende fle, diku nën pragun e vjetër.

Vetëm ne, nuk dimë më, ku ta kërkojmë.

Vaj halli, o njerëzit e mi

mos vallë katandia, nuk është rënia e njeriut,

por çasti, kur njeriu mësohet me rënien e vet,

dhe nuk i dhemb më?

Atëherë,

çfarë do të na mbetet, kur të na bien kullat,
kur të shterin pasuritë, kur të heshtë emri,
dhe askush të mos kujtojë, se dikur patëm një besë?

Ndoshta vetëm kjo: një derë e hapur, në një shtëpi të zbrazët,

dhe një fjalë e vjetër, që endet nëpër natë;

Nderi nuk trashëgohet.


Trashëgohet vetëm mundësia
për ta humbur ose për ta mbajtur.

2018

/QendraPess/