Çaste poetike me poeten;-Qaze DEMKO

NETËT E MIA TRAGJIKE…
————————————
Ka ca ditë, netët për mua janë tragjike,
Me lot në sy fle për çdo natë,
Në ëndrra mendja më gënjehet,
E shoh njeriun që dua prapë.
Sa më qan shpirti, jam si në një dhomë,
Pa dyer, pa dritare, pa frymë e pa jetë,
Me zemrën copë, të çarë e të leckosur,
Një shpirt që endet mes dy botësh të shkretë.
Natën në botën tënde vij të të takoj,
Ti më sheh të gëzuar dhe më thërret: „Qaze!”,
Për pak çaste harroj që pa ty jetoj,
Dhe zemra më mbushet me dritë e shpresë.
Nganjëherë ti vjen në botën time,
Me atë buzëqeshje që s’e harroj,
Sikur s’ka vdekje, as dhimbje, as ndarje,
Sikur edhe një herë në krahë të të qëndroj.
Por nata mbaron, unë kthehem pas,
Ti mbetesh atje, unë këtu e vetmuar,
Dhe kur mëngjesi më zgjon pa mëshirë,
Më duket se jetoj, por jam e harruar.
O Zot, sa të rënda janë netët e mia,
Kur ëndrra më fal atë që jeta ma mori,
Në botën tënde gjej pak lumturi,
Por zgjohem në lot, ku më pret veç malli.
Babi, meraku yt mbeti pas për mua,
Edhe në ëndërr më thërret me dashuri,
Unë natë për natë të kërkoj, të dua,
Se gjysma ime mbeti atje, bashkë me ty.
/QendraPress/