Abdixhiku: Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Paniku në Kosovë është interes i Vuçiqit 

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas intervistës së Kryeministrit Kurti për revistën italien “La Repunblica”, ku tha se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se Kurti e dëshiron krizën, derisa e quan axhami, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.“Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”, shkruan mes tjerash kryetari i LDK-së.

Postimi i plotë:

Kurti flet për luftë.

Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë.Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë.Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshrarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?!Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më.Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarke, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërretë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik. Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë.