Anton Quni: VV zhgënjeu në Prizren, LDK do të jetë shembull si qeveriset komuna – arkiva e UÇK-së nuk ka ekzistuar, temë e rrezikshme të përfshihet në dialog
Blendi Gashi
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, kritikon mënyrën si Lëvizja Vetëvendosje qeverisi në katër vitet e fundit në qytetin historik, duke thënë se kryetari aktual zhgënjeu pritjet e qytetarëve për një qeverisje ndryshe në këtë komunë.
Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net”, derisa shprehet i bindur se LDK do të marrë pushtetin në Prizren, thotë se VV si parti opozitare në këtë komunë pas zgjedhjeve të 17 tetorit, do të mësoj se si ai dhe ekipi i tij do të japin shembullin si qeveriset në shërbim të të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë.
Quni flet edhe për qeverisjen e Albin Kurtit, dhe për deklaratat e bëra nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi për ‘arkivat’ e UÇK-së, si dhe për tema tjera.
Lexoni të plotë intervistën me kandidatin e LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net:
REPORTERI.net: Jeni kandidat për kryetar të Prizrenit nga LDK. Si e morët vendimi për të garuar për të parin e qytetit historik?
Anton Quni: Ishte kërkesë e strukturave të LDK-së nga dega ime në Prizren por edhe më gjërë, deri tek kryetari Abdixhiku, por njëkohësisht edhe pritje e shumë qytetarëve që unë të kandidohem. Vendimi nuk ishte i vështirë kur është reflektim i vullnetit të shumë mbështetësve dhe simpatizuesve, miqve e dashamirëve.
Pse duhet prizrenasit të votojnë për kandidaturën tuaj? Me çfarë synoni t’i bindni që jeni njeriu i duhur për të qeverisur me Prizrenin?
Anton Quni: Tani më qytetarët e kanë mundësinë të bëjnë vlerësime për qeverisjet e kaluara dhe të krahasojnë kualitetin e qeverisjes lokale, kur fillimisht ishte udhëhequr nga LDK, pastaj nga PDK dhe se fundi nga VV. Nëse kthehemi ne retrospektive për të shikuar konkretisht përformancën e qeverisjeve lokale tashmë qytetarët e Prizrenit janë të bindur se LDK-ja në atë kohë, pavarësisht mundësive të kufizuara buxhetore, ka bërë punë të mëdha të cilat edhe me tutje vazhdojnë të jenë trashëgimia që karakterizon Prizrenin; ndërkohë që pushtetet tjera, pavarësisht se ndër vite buxheti ishte rritur, qeverisja e tyre u karakterizua me problemet me ligjin, joefikasitet në ofrimin e shërbimeve, vonesa në kryerjen e projekteve dhe ngecje të zhvillimit ekonomik lokal, si kompetenca kryesore e një komunë e përcaktuar me ligjin për vetëqeverisjen lokale.
Lidershipi, menaxhimi dhe përvoja institucionale janë përparësitë që unë posedoj, të cilat përkojnë me përgjegjësitë dhe kompetencat e përcaktuara sipas legjislacionit për vetëqeverisje lokale për Kryetarët e Komunave. Rrjedhimisht, gjithë eksperiencën time do t’a materializoj për të adresuar kërkesat dhe për të zgjidhur problemet e akumuluara të qytetarëve, për t’i përmirësuar shërbimet komunale dhe për të rritur kualitetin e qeverisjes lokale në Prizren.
Cilat janë tre projektet e mëdha që ju synoni t’i realizoni nëse bëheni kryetar?
Uji, trafiku, turizmi kulturor dhe historik, qendrat e rekreacionit dhe sportit, trajtimi i ujërave të zeza, etj janë disa nga prioritetet e mija. Natyrisht se një vëmendje të veçantë do t’a ketë arsimi, ambienti dhe shërbimet komunale në përgjithësi, si detyra të pakryera nga qeveritë e kaluara lokale.
Si i vlerësoni kundërkandidatët tuaj? Në veçanti si e keni pare qeverisjen e VV-së, me të cilën për një kohë keni bashkëqeverisur por më pas i ndatë rrugët?
Bindjet dhe pritjet ishin jashtëzakonisht të mëdha, sepse gjatë fushatës ishte proklamuar ndryshimi i madh për qeverisjen ndryshe, si një qeverisje model edhe për komunat e tjera; mirëpo, me kohë kjo qeverisje ishte kthyer në zhgënjim deri në përmasat e mashtrimit.
Pas zgjedhjeve, ata, nga pozicioni i opozitës, duhet të mësojnë se si unë me ekipin tim do të japim shembullin më të mirë se si duhet kryej detyrën e vet Kryetari i komunës dhe i gjithë ekipi, në shërbim të të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë, duke qenë në dispozicionin e tyre për të adresuar kërkesat në kohë reale, si dhe për të përmbushur detyrimet për shërbime cilësore komunale.