BALLKANI NË RENDIN E RI BOTËROR: FILOZOFIA E NJË TRANZICIONI TË PAFUND- Shkruan; Gëzim AJGERAJ,shkrimtar e analistë.

Ballkani nuk është vetëm një hapësirë gjeografike. Ai është një arkivë historike e gjallë, një metaforë e përhershme e kufirit, një urë e tendosur mes qytetërimeve dhe një plagë që historia nuk ka reshtur kurrë së prekuri.

Në hartat politike ai paraqitet si rajon; në vetëdijen filozofike ai shfaqet si gjendje ekzistence. Ballkani është vendi ku lindja dhe perëndimi nuk takohen për të krijuar harmoni, por përplasen për të prodhuar tension, identitet të copëzuar dhe tranzicion të pafund.

Në shekullin XXI, kur bota po hyn në një rend të ri global, Ballkani duket sikur vazhdon të ecë në një korridor pa fund, ku çdo derë e hapur çon drejt një tjetër pritjeje.

Integrimi europian, globalizimi, rivalitetet gjeopolitike, krizat ekonomike dhe tensionet identitare e kanë kthyer rajonin në laboratorin më dramatik të modernitetit të papërfunduar.

Filozofi gjerman Georg Wilhelm Friedrich Hegel shkruante se “historia është progresi i vetëdijes së lirisë”.

Por në Ballkan, historia duket sikur është progresi i vetëdijes së mbijetesës. Liria shpesh ka ardhur si premtim, jo si realitet; demokracia si projekt, jo si kulturë; Europa si ëndërr, jo si përkatësi.

Ballkani jeton në paradoksin më të madh filozofik të kohës moderne: ai kërkon të bëhet pjesë e së ardhmes europiane ndërkohë që mbetet peng i së kaluarës së vet. Pikërisht ky dualizëm e shndërron Ballkanin në simbolin më të qartë të tranzicionit të pafund.

Ballkani si metaforë e kufirit

Çdo qytetërim ka krijuar kufijtë e vet jo vetëm fizikë, por edhe metafizikë. Ballkani ka qenë gjithmonë kufiri ku perandoritë kanë lënë gjurmët e tyre: Perandoria Romake, Bizanti, Perandoria Osmane, Austro-Hungaria, komunizmi sovjetik dhe më pas globalizmi perëndimor.

Rajoni nuk ka qenë kurrë plotësisht vetvetja; ai ka qenë gjithmonë territori ku të tjerët kanë projektuar fuqinë e tyre.

Filozofi francez Michel Foucault thoshte se; pushteti nuk ekziston vetëm në institucione, por në mënyrën si organizohet vetë realiteti.

Ballkani është organizuar historikisht nga fuqitë e jashtme. Kufijtë e tij janë vizatuar nga luftërat, traktatet dhe interesat gjeopolitike, jo nga vetëdija organike e popujve të tij.

Në këtë kuptim, Ballkani është si një lumë që nuk arrin kurrë të derdhet plotësisht në det. Ai vazhdimisht rrjedh mes gurëve të historisë, duke mbajtur me vete kujtesën e konflikteve, gjuhëve, feve dhe identiteteve të fragmentuara.

Albert Camy shkruante: “Njeriu është e vetmja qenie që refuzon të jetë ajo që është.” Edhe Ballkani refuzon vazhdimisht vetveten.

Ai kërkon të jetë Europë, por ka frikë të humbasë shpirtin e vet lindor; kërkon modernitet, por ruan nostalgjinë për traditën; kërkon paqe, por mbart në vetvete kujtesën e luftës.

Ky rajon është metafora e urës së vjetër që dridhet nën peshën e historisë. Çdo popull kalon mbi të me frikën se ura mund të shembet, por askush nuk guxon ta ndërtojë nga e para.

Tranzicioni si mënyrë ekzistence

Pas rënies së komunizmit, Ballkani hyri në një periudhë që u quajt “tranzicion”. Fillimisht ai u mendua si një kalim i përkohshëm drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Por dekadat kaluan dhe tranzicioni nuk përfundoi kurrë. Ai u bë mënyrë jetese.

Filozofi polak Zygmunt Bauman e përshkruante modernitetin si “likuid”, një realitet ku asgjë nuk mbetet e qëndrueshme.

Ballkani është forma më dramatike e këtij moderniteti të lëngshëm. Institucionet ndryshojnë vazhdimisht, partitë politike transformohen, aleancat ndërkombëtare lëkunden, por pasiguria mbetet e njëjtë.

Në Ballkan, qytetari jeton mes dy kohëve: së kaluarës që nuk largohet dhe së ardhmes që nuk mbërrin. Demokracia shpesh perceptohet si teatër; zgjedhjet si ritual; shteti si premtim abstrakt. Individët mësohen të mbijetojnë jo falë sistemit, por pavarësisht tij.

Søren Kierkegaard thoshte se “ankthi është marramendja e lirisë”. Shoqëritë ballkanike përjetuan pikërisht këtë ankth pas rënies së sistemeve totalitare.

Liria erdhi pa manual përdorimi. Njerëzit u gjendën përballë një bote të re ku duhej të zgjidhnin identitetin, ideologjinë dhe të ardhmen e tyre.

Por kur liria nuk mbështetet nga drejtësia dhe institucione të forta, ajo shndërrohet në zhgënjim.

Prandaj shumë qytetarë të Ballkanit përjetojnë sot një lodhje ekzistenciale ndaj politikës. Ata nuk besojnë më tek ideologjitë, por tek ikja; jo tek shteti, por tek emigrimi.

Në këtë kuptim, tranzicioni nuk është më etapë historike. Ai është filozofia e ekzistencës ballkanike.

Europa si ide dhe si iluzion

Për Ballkanin, Europa ka qenë gjithmonë më shumë se kontinent. Ajo është ide metafizike, një parajsë politike ku sundon ligji, dinjiteti dhe prosperiteti.

Mirëpo, sa më shumë afrohet Ballkani drejt Europës, aq më shumë kupton distancën që e ndan prej saj.

Friedrich Niçe shkruante: “Kur shikon gjatë në humnerë, edhe humnera shikon brenda teje.”

Ballkani ka vështruar për dekada drejt Europës, por gjatë këtij procesi ka zbuluar plagët e veta të brendshme: korrupsionin, tribalizmin politik, mungesën e kulturës demokratike dhe frikën nga ndryshimi.

Nga ana tjetër, edhe Europa e sheh Ballkanin me ambiguitet. Ajo e konsideron rajonin pjesë të projektit europian, por njëkohësisht e trajton si periferi të pasigurt. Ky raport krijon një psikologji kolektive inferioriteti, ku popujt e Ballkanit ndihen vazhdimisht “jo mjaftueshëm europianë”.

Edmund Husserl e quante Europën “kriza e vetëdijes moderne”.

Në kohën tonë, kjo krizë shfaqet në mënyrë dramatike përmes rritjes së nacionalizmave, populizmit dhe humbjes së besimit tek idealet liberale.

Ballkani nuk është jashtë kësaj krize; ai është pasqyra më e qartë e saj.

Rajoni kërkon të integrohet në një Europë që vetë po pyet veten se çfarë është. Kjo krijon një paradoks tragjik: Ballkani vrapon drejt një destinacioni që vetë destinacioni nuk e njeh më plotësisht.

Megjithatë, ideja europiane vazhdon të mbetet drita më e fortë në horizontin ballkanik.

Jo sepse Europa është perfekte, por sepse ajo përfaqëson mundësinë e kapërcimit të historisë së dhunës.

Politika si teatër i fuqisë

Në Ballkan, politika shpesh nuk perceptohet si administrim racional i shoqërisë, por si luftë simbolike për pushtet.

Liderët ndërtojnë narrativa heroike, ndërsa qytetarët mbeten spektatorë të një drame që përsëritet.

Niccolò Machiavelli shkruante se; pushteti mbahet jo vetëm me forcë, por me perceptim. Kjo logjikë mbetet e dukshme në politikën ballkanike. Imazhi shpesh ka më shumë rëndësi se substanca; retorika më shumë se reforma.

Në shumë vende të rajonit, demokracia është formalisht e pranishme, por kultura demokratike mbetet e brishtë.

Mediat polarizohen, drejtësia politizohet dhe qytetari ndjehet i larguar nga vendimmarrja.

Jean-Paul Sartre thoshte: “Njeriu është i dënuar të jetë i lirë.” Por në Ballkan, qytetari shpesh ndihet i dënuar të zgjedhë mes alternativave që i ngjajnë njëra-tjetrës.

Kjo prodhon cinizëm politik dhe humbje të besimit kolektiv.

Megjithatë, politika ballkanike mbetet e mbushur me energji dramatike. Ajo është si një skenë antike ku historia dhe moderniteti përplasen çdo ditë.

Në një anë qëndrojnë idealet europiane të institucioneve; në anën tjetër, strukturat tradicionale të klientelizmit dhe identitetit fisnor.

Kjo përplasje krijon një realitet ku shteti modern ndërtohet mbi rrënojat e mentaliteteve të vjetra.

Pikërisht këtu qëndron tragjedia filozofike e Ballkanit: ai dëshiron modernitetin, por nuk arrin të shkëputet plotësisht nga arkaizmi.

Lufta, kujtesa dhe plagët e historisë

Historia e Ballkanit është e mbushur me luftëra, ndarje dhe dhunë. Kujtesa kolektive e rajonit nuk është lineare; ajo është një muze plagësh të hapura.

Walter Benjamin shkruante: “Çdo dokument qytetërimi është njëkohësisht dokument barbarie.” Monumentet, flamujt dhe narrativat kombëtare të Ballkanit mbajnë brenda tyre jo vetëm krenari, por edhe kujtime të dhunës.

Në rajon, historia nuk është vetëm e kaluar; ajo është aktore politike e së tashmes. Konfliktet e shekullit XX vazhdojnë të ndikojnë diplomacinë, identitetet dhe marrëdhëniet ndëretnike.

Kjo e bën Ballkanin një hapësirë ku pajtimi është gjithmonë i papërfunduar. Çdo brez trashëgon jo vetëm gjuhën dhe kulturën, por edhe frikën, dyshimin dhe kujtesën e traumës.

Filozofi Paul Ricoeur fliste për “kujtesën e drejtë”, një mënyrë për të kujtuar pa u burgosur nga e kaluara. Ballkani ende lufton për ta gjetur këtë ekuilibër.

Shpesh, historia përdoret si armë politike dhe jo si mësim etik.

Megjithatë, brenda kësaj tragjedie ekziston edhe potenciali për transformim. Popujt që kanë vuajtur më shumë nga lufta mund të kuptojnë më thellë vlerën e paqes.

Në këtë kuptim, Ballkani mund të bëhet jo vetëm simbol i konfliktit, por edhe laborator i pajtimit njerëzor.

Globalizimi dhe humbja e identitetit

Në rendin e ri botëror, globalizimi ka krijuar një kulturë universale të konsumit, teknologjisë dhe informacionit.

Për Ballkanin, kjo ka sjellë një paradoks të ri: ndërsa kufijtë fizikë hapen, identitetet shpirtërore bëhen më të pasigurta.

Martin Heidegger paralajmëronte se; teknologjia moderne rrezikon ta shndërrojë njeriun në objekt funksional. Në qytetet ballkanike, kjo ndjehet përmes humbjes së komunitetit tradicional, emigrimit masiv dhe zëvendësimit të kujtesës kulturore me kulturën e tregut.

Të rinjtë e rajonit jetojnë mes dy botëve: trashëgimisë së rëndë historike dhe ritmit të shpejtë të globalizmit digjital. Ata flasin gjuhën e internetit, por mbajnë mbi supe konfliktet e brezave të mëparshëm.

Erich Fromm pyeste: “Të kesh apo të jesh?” Shoqëritë ballkanike shpesh janë futur në logjikën e konsumit si mënyrë kompensimi për dekada mungese dhe izolimi.

Por prosperiteti material nuk ka arritur të mbushë boshllëkun ekzistencial të individit.

Kështu, globalizimi nuk ka zgjidhur krizën identitare të Ballkanit; ai vetëm e ka bërë më komplekse.

Rajoni tashmë nuk përballet vetëm me konfliktin mes lindjes dhe perëndimit, por edhe me konfliktin mes traditës dhe kulturës globale.

Ballkani dhe rendi i ri botëror

Rendi i ri botëror po karakterizohet nga rivalitete të reja gjeopolitike, kriza energjetike, luftëra hibride dhe polarizim global.

Në këtë realitet, Ballkani mbetet një pikë strategjike.

Rajoni ndodhet mes interesave të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

Secila fuqi përpiqet të ndikojë përmes ekonomisë, kulturës, medias apo politikës.

Samuel Huntington e përshkruante botën si; përplasje qytetërimesh.

Ballkani është vendi ku kjo teori merr formë konkrete: ortodoksia, islami dhe katolicizmi bashkëjetojnë në një hapësirë të vogël gjeografike, por me një dendësi të jashtëzakonshme historike dhe shpirtërore.

Kjo bashkëjetesë nuk është vetëm fetare; ajo është përplasje kujtimesh, narrativash dhe mënyrash të ndryshme për ta kuptuar botën.

Në Ballkan, minaret, kambanat dhe kupolat ortodokse nuk ngrihen thjesht si objekte arkitekturore, por si simbole të historive që ende dialogojnë mes tyre, herë në heshtje e herë në konflikt.

Megjithatë, tragjedia më e madhe e Ballkanit nuk qëndron tek diversiteti i tij, por tek paaftësia historike për ta kthyer këtë diversitet në urë qytetërimi.

Rajoni shpesh ka qenë si një pasqyrë e thyer, ku çdo komb sheh vetëm fragmentin e vet dhe jo tërësinë. Kështu, identiteti është ndërtuar më shumë mbi dallimin sesa mbi bashkëjetesën.

Në rendin e ri botëror, kjo gjendje bëhet edhe më e ndërlikuar. Luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me tanke dhe armë, por me informacion, propagandë, ekonomi dhe kontroll kulturor.

Njeriu ballkanik gjendet sot përballë një bote ku pushteti nuk shihet gjithmonë, por ndihet në mënyrën si formohen opinionet, si ndërtohen frikërat dhe si prodhohen ëndrrat kolektive.

Michel Foucault do ta quante këtë “pushteti i padukshëm”, një mekanizëm që nuk sundon trupin, por vetëdijen. Në Ballkan, ky pushtet shfaqet përmes medias së polarizuar, manipulimit politik dhe ndikimeve të jashtme që e mbajnë rajonin në një gjendje të vazhdueshme pasigurie psikologjike.

Popujt shpesh jetojnë mes dy ankthesh: frikës nga e kaluara dhe pasigurisë ndaj së ardhmes.

Ndërkohë, globalizimi po e transformon njeriun ballkanik në një qenie gjithnjë e më të shkëputur nga rrënjët.

Të rinjtë largohen drejt Perëndimit jo vetëm për ekonomi, por për të kërkuar një ndjenjë stabiliteti që vendet e tyre ende nuk ua japin.

Emigrimi është bërë metafora më e dhimbshme e kohës sonë: ikja fizike si mënyrë për t’i shpëtuar lodhjes shpirtërore të tranzicionit.

Por edhe pse Ballkani duket i fragmentuar, ai mbart një energji të rrallë historike. Ky rajon ka mbijetuar perandori, luftëra, diktatura dhe ndarje, sepse në thelb ai zotëron një instinkt të fortë mbijetese.

Si një lumë që përplaset vazhdimisht me shkëmbinjtë, Ballkani nuk pushon së rrjedhuri.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron filozofia e tij më e thellë: Ballkani nuk është thjesht një territor në krizë, por një hapësirë ku njerëzimi përballet me vetveten.

Në të reflektohen kontradiktat e botës moderne, liria dhe frika, identiteti dhe globalizimi, kujtesa dhe harresa, lindja dhe perëndimi.

Prandaj Ballkani mbetet më shumë se një rajon politik. Ai është metafora e përhershme e tranzicionit njerëzor: një urë e papërfunduar mes asaj që ka qenë dhe asaj që ende nuk ka lindur.

2026/QendraPress/