Bashkëpunim për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.

                        Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, MSc. Osman Hajdari, së bashku me drejtoreshën e infermierisë, znj. Burbuqe Gashi, dhe drejtorin e administratës, z. Lumrim Murtezaj, pritën të mërkurën në takim Drejtoreshën e Shëndetësisë në Policinë e Kosovës, Dr. Merita Zogu, Drejtorin e Policisë Rajonale të Prizrenit, kolonel Faton Alija, si dhe zëdhënësin, toger Shaqir Bytyqi.

Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në shërbim të sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve. Një fokus i veçantë iu kushtua trajtimit dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, kontrolleve sistematike, si dhe procesit të rekrutimit të kandidatëve të rinj.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Policinë e Kosovës, Dr. Merita Zogu, falënderoi drejtorin e spitalit, menaxhmentin dhe gjithë stafin për punën dhe shërbimet e ofruara për qytetarët, me theks të veçantë për përkujdesjen ndaj pjesëtarëve të policisë.

Kolonel Faton Alija gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin me spitalin, duke shprehur mirënjohje për trajtimin dhe shërbimet e ofruara ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, si dhe gatishmërinë e policisë për të ofruar mbështetje sa herë që kërkohet nga spitali.

Drejtori ekzekutiv i spitalit, MSc. Osman Hajdari, e cilësoi takimin si tejet të rëndësishëm, duke theksuar përkushtimin ndaj institucioneve që janë në shërbim të sigurisë së qytetarëve. Ai informoi të pranishmit për gjendjen aktuale të spitalit, arritjet dhe planet për të ardhmen, duke shprehur gatishmërinë për të ofruar shërbime shëndetësore sa më cilësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në shërbim të sigurisë dhe shëndetit të të gjithë qytetarëve.

Vizita e sotme nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren dhe Policisë së Kosovës, me synim ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore dhe garantimin e mirëqenies për të gjithë qytetarët, përfshirë pjesëtarët e policisë dhe stafin shëndetësor./QendraPress/