BE-ja dhe Kosova nënshkruajnë Marrëveshje Financiare në vlerë 64 milionë euro
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i ka dorëzuar sot në Prishtinë Zëvendëskryeministrit të Parë të Kosovës, Besnik Bislimit, Marrëveshjen Kornizë të Partneritetit Financiar IPA III (FFPA) të miratuar nga Komisioni Evropian.Bislimi nënshkroi FFPA-në, e cila, pasi të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, do t’i mundësojë Kosovës që të marrë ndihmë të mëtejshme teknike dhe financiare nga Bashkimi Evropian. Ajo mbulon programet vjetore të IPA-s për periudhën 2021-2027 dhe do të mundësojë miratimin e menjëhershëm të fondeve të IPA 2021 për Kosovën në vlerë prej 64 milionë euro.“Ne do të përdorim financimin e IPA III për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore, qeverisjen komunale dhe sigurinë publike në Kosovë”, tha ambasadori Szunyog.“Financimi gjithashtu do të drejtohet në ngritjen e kapaciteteve të administratës së Kosovës për të përmbushur standardet e BE-së dhe për t’iu përgjigjur shpejt nevojave urgjente ekonomike, shëndetësore apo sociale, për të mbrojtur mjedisin në përputhje me praktikat më të mira të BE-së, për të rritur konkurrencën e sektorit agro-ushqimor të Kosovës dhe të ndihmojë në arritjen e kritereve ekonomike të anëtarësimit në BE.”Kosova filloi të përfitojë nga financimi IPA në vitin 2007. Që atëherë, dhe deri në fund të vitit 2022, gjithsej 1.21 miliardë euro i janë ndarë Kosovës përmes IPA I dhe IPA II.“Fondet e para-anëtarësimit të BE-së ofrojnë një shtysë shumë të rëndësishme për të plotësuar progresin tonë të vazhdueshëm në reformat e lidhura me BE-në. Fondet IPA III do të përdoren për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE dhe reformat e brendshme, si dhe për të mbështetur investimet e nevojshme për zbatimin e reformave brenda Agjendës së Reformës Evropiane, Strategjia Zhvillimore Kombëtare dhe strategjitë sektoriale me fokus punësimin e të rinjve, energjinë, mjedisin, rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ndër shumë fusha të tjera”, tha zëvendëskryeministri i parë Bislimi.BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare.